Salianji sulmon Nokën: Aksident politik në PD, nuk kalon dot kufijtë

Nga A2 CNN
24 Dhjetor 2025, 10:41 | Politikë

Përplasjet mes drejtuesve politikë në Partinë Demokratike vijojnë prej disa ditësh, ndërsa kanë kulmuar ditën e djeshme me reagimin e fortë të Ervin Salianit në rrjetet sociale ndaj sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka.

Më parë ka qenë Noka ai që ka ashpërsuar tonet, duke deklaruar se Salianji është tashmë edhe de jure i përjashtuar nga kryesia e Partisë Demokratike, pas largimit nga grupi i komunikimit në WhatsApp. Sipas Nokës, Saliani është përjashtuar edhe me shkresë zyrtare nga Partia Demokratike, duke u larguar nga çdo funksion.

E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Salinajit, i cili prej disa ditësh kishte heshtur për këtë çështje. Ditën e djeshme, në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ai ka shpërthyer ndaj Flamur Nokës, duke e quajtur “aksident politik” dhe duke e akuzuar për lidhje të shumta me krimin. Salianji përmend disa eksponentë kriminalë dhe mohon nga ana tjetër çdo lidhje të tijën me Suel Çelën apo Ergys Agasin, për të cilët Flamur Noka ka pretenduar se Salianji është takuar me ta dhe ka organizuar foltore apo takime në Durrës.

“Flamur Noka është aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH dhe arsyeja ulëritëse se pse kjo parti ka nevojë urgjente për reformim! Ai nuk është thjesht një gabim politik, as vetëm idiot apo i përdorur si gojëprishur për të zhvendosur vëmendjen!  Ka njerëz që mbajnë flamurin për ideal. Ka edhe nga ata që e përdorin Flamurin pa ideal për të goditur kë t’u dalë përpara. Ai është  produkt i qëllimshëm i politikës së pistë: pazare, shërbime, nënshtrim dhe tregti interesi. Një figurë që ka shitur gjithçka që ka pasur mundësi: parime, njerëz, zona, zgjedhje, mjafton të ketë pak pushtet dhe përfitim personal”, tha Salianji.

Sipas ish-deputetit, Flamur Noka është personi që duhet të largohet nga Partia Demokratike dhe se reformimi i partisë duhet të nisë pikërisht prej tij. Saliani gjithashtu aludon se Flamur Noka është “non grata”, duke shkruar se ai nuk e kalon dot oqeanin.

“Kam disa ditë që duroj baltën për hir të demokratëve, me bindjen se duhet të heshtim për t’i qëndruar përballë qeverisë por disa si ky paskan interesin e kolltukut jo të demokratëve! Personalisht vetëm kam denoncuar bandat e kartelet nga jugu në veri e kur më akuzon për lidhje me krimin një njeri si Flamuri që nuk kalon dot as kufijtë, as det e as oqean për shkak të këtyre lidhjeve, për shkak të korrupsionit, grabitjes së pronave të të varfërve, apartamenteve të të pastrehëve dhe tregtisë së vendeve të punës, nuk është sulm por dëshmi që jam në rrugën e duhur! Një medalje nderi në luftën kundër krimit dhe karteleve kriminale e politike. Sa për lidhjet me Ergys Agasin prisni dhe pak dhe do t’i shihni: bizneset, ortakëritë dhe bashkëpunimet. E vërteta ka këtë zakon: del gjithmonë dhe nuk pyet as për zhurmë, as për mbrojtje politike.  Sa më përket mua, zero lidhje me këtë kategori. Kaq për sot. Pas çdo përfolje tjetër do të sjell dëshmi, fakte dhe do të demaskoj çdo pacipësi që thuhet”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos