Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha se lajmi për largimin e Ervin Salianjit nga kryesia e partisë nuk duhet të marrë ndonjë vëmendje të madhe dhe se nuk ka zyrtarisht një vendim për përjashtimin e tij. “Këto janë ulje-ngritje të marrëdhënieve që ekzistojnë brenda një force politike të madhe siç është PD-ja, e cila në vazhdimësinë e saj ka lejuar debatin politik, qëndrimet e ndryshme dhe ka parimet e saj. Duhet thënë se është një parti që tradicionalisht ka qenë më shumë drejt qendrës, por me tendenca për të shkuar drejt një profili më konservator, pra më të djathtë. Duke qenë e tillë, ajo adopton edhe forma dhe mënyra të caktuara qëndrimi”, tha Boçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Kjo nuk është një çështje tektonike që krijon çarje të mëdha brenda PD-së, por kërkon vëmendje. Demokratët, iniciativat dhe aksionet duhet t’i bëjmë bashkë edhe aty brenda, sepse është e domosdoshme. Përderisa nuk ka një vendim të institucioneve të partisë për përjashtimin e zotit Salianji, unë besoj se të gjitha këto argumente nuk e kanë peshën e duhur. Nuk duhet të merremi me veprime që në thelb nuk përfaqësojnë ende vendime të formuara politike”.
Megjithatë, Boçi kritikoi lëvizjet e Salianjit në javët e fundit, për të zhvilluar takime në qytete te ndryshme. “Sigurisht që të gjithë kemi dëshirë të shprehim ambiciet tona, të rigjallërojmë jetën e partisë, por kjo duhet bërë brenda institucioneve të saj”, shtoi ai. (A2 Televizion)