Ish-deputetja e Partisë Demokratike tha në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN se sot është e vështirë të gjesh persona që kanë pasur pushtet politik në Shqipëri dhe që mund t’i etiketosh si moralisht të pastër.
“Rastet e fundit rrënjosën përfundimisht perceptimin që kurrsesi politika nuk i shërben popullit, përkundrazi problemi është që dhe trashëgimia e asaj çfarë ishte më parë nuk është aq dinjitoze dhe të gjitha aferat që ndodhin dhe përmendjet e përfshirjes së të gjithë, nuk i jep moral palëve. Tani këto janë gjithë blerë dhe shitur. Ku ka më politikë për qytetarët? Këtë nuk e beson as macja”, tha Nebiaj në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Këtu ke edhe emra aktivë sot, se kjo është perla e perlave, që kanë ekzistuar vetëm në opozitë dhe janë miliarderë, që është muhabet tjetër ky. Prandaj më vijnë mua mesazhe gjithë kohën dhe më thonë më mirë të iki”, shtoi ajo.
Gjithashtu, ajo u shpreh se kryetarët e partive opozitare duhej të dilnin krah për krah në protesta për të dhënë një mesazh të qartë për qytetarët, duke lënë mënjanë interesat personale apo garën për pushtet.
“Njeriu sidomos kur hyn në politikë e bën edhe një gjë që s'lidhet drejtpërdrejtë me interesin e vet, por përderisa s'ndodh, kam përshtypjen që kjo është arsyeja pse nuk ndodh. Duhet të bëheshin bashkë edhe dilnin atje të katërt krahë për krahu dhe të thonin ja ku jemi, hajdeni na u bashkoni. Nuk ka rëndësi pushteti, ka rëndësi që ky pushtet ka vajtur aty ku s'mban më. Kaq. Qytetarët mund të ishin treguar më të gatshëm për të reaguar”, theksoi ajo në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Nga ana tjetër, gazetari Neritan Sejamini u ndal te skandali i fundit i hetuar nga SPAK.
“Ti sot ke një drejtuese të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit e cila është e inkriminuar, ka vajtur në zyrën e një personi i cili akuzohet se është eksponent i krimit, bën me të pazare, i thotë atij kam hequr edhe njerëz nga puna për të mbrojtur nderin tënd dhe sot akoma është drejtoresha e agjencisë, nuk është pezulluar, nuk është shkarkuar. Kemi një zëvendëskryeministre dhe ministre e cila po mundohet të përdorë imunitetin për të mos u hetuar. Nëqoftëse ajo është e pafajshme nuk ka asnjë problem që të hetohet. Çfarë lidhje ka kjo me Partinë Demokratike, me zotin Lapaj, me të tjerët që ne si shoqëri të themi: “Më fal, kjo nuk mund të tolerohet”, tha Sejamini.
Ndërkohë, Fjoralba Dizdari, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, tha se “shqiptarëve u është hequr dinjiteti”.
“Skandalet e kësaj qeverie janë të tmerrshme, janë të mëdhaja. Partia Demokratike ka probleme, i kemi thënë. S'është problemi aty. Njerëzit s'kanë bukë të hanë. Viti i Ri dhe njerëzit nuk kanë bukë në tryezë. Sistemi i kalbur e ka fajin, kur ka një qeveri të korruptuar, kur kanë vjedhur masivisht këtë vend, kur nuk ka marrë askush atë që meriton, duhet të vijë SPAK-u tani, ndërkombëtarët që të bëjnë presion të fortë që të ndryshojë politika në Shqipëri, që të hanë njerëzit një copë bukë, që taksat mos mbysin bizneset duhet të vijnë ndërkombëtarët, dhe ne gjithmonë, edhe në vitet ‘90 kemi pasur nevojë për ndërkombëtarët”, tha Dizdari.
Sakaq, gazetari Roland Qafoku, tha se PS ka bërë hapa të mëdhenj pas në demokracinë e brendshme, krahasuar me periudhën kur drejtohej nga Fatos Nano.
“Situata në Partinë Socialiste nuk është e keqe, por është momenti më kritik, më i rëndë që nga momenti mendoj unë që ka marrë ose që drejtohet nga zoti Rama. Pra që nga viti 2005 edhe duke përfshirë dhe opozitën. Po ë për të bërë analizën e kësaj situate mjafton të them që të bëjmë një krahasim me Partinë Socialiste kur drejtohej nga Fatos Nano”, tha Qafoku në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)