Shqipëria do të duhet të kapë ritmin e ndryshimeve gjeopolitike që po ndodhin në të gjithë globin. Për ta bërë këtë, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u shpreh se Shqipëria ka nevojë të rishikojë strategjinë e saj të mbrojtjes.
“Realiteti i ri trupëzohet shpesh edhe në rishikimin e dokumenteve strategjike të mbrojtjes, ku edhe vetë Shqipëria është duke përgatitur rishikimin strategjik të mbrojtjes. Të gjitha këto rishikime evidentojnë një fragmentim të rendit ndërkombëtar dhe konkurrencën e përhershme, që strukturon në një farë mënyre një lloj lufte të re të ftohtë. Europa Juglindore, pavarësisht se nuk është epiqendra e rivalitetit të ri global, nuk është as një periferi e padukshme. Është një teatër dytësor, jo për tanke, por për influenca, narrativa, dezinformim dhe ndërhyrje hibride”, tha Vengu.
Për shkak të këtyre rreziqeve, Vengu e pranon se Tirana, së bashku me Prishtinën dhe Zagrebin, kanë firmosur edhe një aleancë të përbashkët në fushën e mbrojtjes, bashkim që nuk është pritur mirë nga Serbia.
“Kam vënë re herë pas here një ndjesi paniku nga deklaratat zyrtare në Beograd. Mund t’ju them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. E merrni me mend që nuk kam marrë një përgjigje sa i përket kësaj ftese. Dhe kjo vjen për dy arsye: e para, sepse lexojmë rreziqet dhe kërcënimet në rajon me të njëjtën mendje. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë të marrin leje për sa i përket kësaj pjese”, shtoi Vengu.
Për të rritur kapacitetet mbrojtëse, Ministri i Mbrojtjes zbuloi se KAYO ka firmosur gjashtë marrëveshje me kompani të huaja dhe vendase, për prodhimin e uniformave deri te artileria e rëndë. Vëngu pranoi për herë të parë se Shqipëria ka firmosur disa kontrata me kompaninë izraelite Elbit Systems, edhe pse NATO ka pezulluar disa kontrata me këtë kompani.
“Për sistemet dron dhe anti-dronë, por edhe vlerën e marrëveshjes, si dhe afatet kur do të nisë prodhimi i tyre”, vijoi Vengu.
“Shqipëria nuk ndihet nën presion mes BE-së dhe SHBA-ve për sa i përket Groenlandës”, shtoi më tej Vengu.
Edhe pse nuk ka ende një datë se kur vendi ynë do ta firmosë marrëveshjen për aderimin në Bordin e Paqes, Ministri Vëngu zbulon se ka komunikime me palën amerikane për angazhimin edhe me burime njerëzore.
“Përveç objektivit për prodhimin e armëve ‘Made in Albania’, Ministria e Mbrojtjes ka në plan që të shtojë edhe flotën për emergjencat civile”, përfundoi Vengu. (A2 Televizion)