Gazetari Bledian Koka ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Izrael, duke theksuar se ajo nuk përbën asnjë risi në marrëdhëniet mes dy vendeve. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Koka u shpreh se raportet Shqipëri-Izrael kanë qenë historikisht të qëndrueshme dhe të pandryshuara, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në Tiranë.
Sipas tij, Rama në Knesset ka folur si kryeministër i Shqipërisë dhe jo si individ privat, ndaj pritja dhe fjalimet janë pjesë normale e protokollit diplomatik. “Shqipëria ka pasur të njëjtin qëndrim ndaj Izraelit që nga Lufta e Dytë Botërore, gjatë komunizmit, me Berishën, Nanon dhe më pas. Edhe Berisha ka mbajtur fjalime të ngjashme në Izrael”, tha Koka.
Gazetari kritikoi përpjekjet për ta paraqitur vizitën si arritje personale të Ramës, duke theksuar se kjo lidhet me nevojën e tij për t’u rikonfirmuar në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi qëndrimin e Ramës ndaj Hamasit, por ngriti pikëpyetje për mungesën e artikulimit të qartë të qëndrimit tradicional të Shqipërisë për zgjidhjen me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës, shkruan A2 CNN.
Sipas Kokës, kjo mbetet e vetmja çështje që meriton diskutim nga një vizitë, të cilën ai e cilësoi “normale dhe pa risi diplomatike”. (A2 Televizion)