Në ditën e zisë kombëtare për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, demokratët nuk e ndalën fushatën elektorale. Në nderim të kujtimit të Papës, takimet këtë të shtunë nisën me një minutë heshtje.
Ndalesa e radhës për liderin e opozitës ishte lagjja Laprakë në Tiranë, nga ku përsëriti ftesën për debat publik, shkruan A2 CNN. “E ftoj të vijnë në këtë skenë, të bëjmë debat para jush. Të marr socialistët e lagjes t’i sjell këtu, unë i pranoj, por ai nuk ka besim as te socialistët. Nuk ka program, programi i tij është këneta, mashtrimi, tallavaja”.
Pavarësisht dorës së shtrirë për ballafaqim, Berisha shprehu bindjen se në këtë fushatë nuk do ketë përballje, pasi siç tha Rama u ka dhënë urdhër të gjithëve që të shmangin debatet. “Ka dy muaj që ka ndaluar me urdhër kandidatët e tij që të ballafaqohen me kandidatët tanë. Nuk do që të merrni ju vesh të vërtetat”.
Një koment pati edhe për nismën e prezantuar së fundmi nga Rama, paqen fiskale me biznesin. “Çfarë është paqja e tij fiskale, paqja e tij fiskale është amnistia, është parajsa për botën e krimit, është ndëshkim për ju qytetarë të dashur”.
Në këtë takim, kreu i opozitës shoqërohej me disa miq të tij ndërkombëtar, presidentin e Urdhrit të Maltës dhe ministren e qeverisë së Kroacisë, Nina Obuljen. (A2 Televizion)