Kërkohet zgjidhje për Gazën, Spiropali shkon në SHBA: Jemi aktivë për paqen në botë

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2026, 18:17 | Politikë

Kërkohet zgjidhje për Gazën, Spiropali shkon në SHBA: Jemi

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi mëngjesin e sotëm Shtëpinë e Bardhë në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Shtëpinë e Bardhë, Spiropali u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump që njëkohësisht mban detyrën e Drejtorit të Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Sipas Spiropalit, takimi u fokusua në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes, shkruan A2.

Ministrja theksoi: “Bashkë me Drejtorin McLaughlin ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.”

Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:

Shtëpia e Bardhë – Washington | Me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC).

U ndalëm në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes. Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik.

Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.

Shqipëria është e nderuar të jetë gjithashtu në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.

Gjatë takimit konfirmova gatishmërinë tonë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, për të thelluar dhe më tej marrëdhëniet tona në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjitik e zhvillimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos