
Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetuese procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ndryshimin e organizimit të komisioneve parlamentare në nisje të legjislaturës së kaluar, duke i dhënë të drejtë Partisë Demokratike pas ankimimit të saj.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili shprehet se nuk gjen dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Kushtetueses.
Balla mendon që Kuvendi duhet ta vazhdojë punën me ndarjen aktuale të Komisioneve, raporton A2CNN.
“Nuk gjej dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese. Pres me shumë kuriozitet vendimin e plotë për të kuptuar edhe atë çështjen e “të drejtës së shprehjes”, kur është fakt se deputetët kanë votuar dhe e kanë shprehur vullnetin qartazi me votë. Megjithatë mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta vazhdojë punën e tij me ndarjen aktuale të Komisioneve, të cilat do duhet të rimiratohen bashkë me ndryshime të tjera që siç njoftova në fillim të sesionit do t’i depozitojmë në ditët në vijim”, shkruan Balla në një shënim në rrjetet sociale. (A2 Televizion)