
Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ndryshimin e organizimit të komisioneve parlamentare në nisje të legjislaturës së kaluar, duke i dhënë të drejtë Partisë Demokratike pas ankimimit të saj, raporton A2 CNN. Vendimi u bë publik pasditen e të hënës, ndërsa gjykata thekson se problemi nuk qëndron te numri i komisioneve, por te mënyra se si u ndoq procedura për miratimin e ndryshimeve.
Sipas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka detyrim të respektojë rregulloren e vet dhe të garantojë përfshirjen e të gjithë deputetëve në procesin vendimmarrës. Gjykata nënvizon se një pjesë e deputetëve, veçanërisht nga opozita, nuk patën mundësi të japin mendimet apo kundërshtimet e tyre përpara miratimit të ndryshimeve.
Ndryshimet e ndërmarra në shtatorin e vitit të kaluar rritën numrin e komisioneve parlamentare nga 8 në 11 dhe sollën riorganizim të brendshëm, përfshirë edhe drejtimin e Komisionit të Integrimit, që kaloi nga opozita te mazhoranca socialiste.
Gjykata i ka lënë Kuvendit 30 ditë afat për të rishikuar procedurën dhe për ta përshtatur atë me kërkesat kushtetuese.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”.
Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.
Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:
• Pranimin e kërkesës
• Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
• Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare. (A2 Televizion)