Gjykata Kushtetuese ka vendosur se nuk do të ketë zgjedhje në Tiranë, duke rrëzuar kështu dekretin e Presidentit Begaj.
Po ashtu, A2 CNN mëson se Kushtetuesja ka vendosur se Veliaj do të vijojë të mbetet kryebashkiak i Tiranës, pavarësisht se prej disa muajsh ai ndodhet në qeli. Anëtarët në Kushtetuese votuan 5 pro dhe 3 kundër kërkesës së Veliajt.
Kujtojmë se Veliaj u shkarkua pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi me votë që t’i propozojë Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij. Më pas Këshilli i Ministrave vendosi pro shkarkimit të Veliaj.
Kjo bëri që Presidenti Bajram Begaj të dekretonte datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë, datë në të cilën do të mbahen zgjedhje edhe në 5 bashki të tjera ku do të ketë garë.
Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi dekretin e Presidentit për zgjedhjet dhe la Veliaj si kryetar të Bashkisë së Tiranës. (A2 Televizion)
