Një vendim të duhur ligjor, që shkon në logjikën e Gjykatës Kushtetuese, e ka cilësuar Gazment Bardhi vendimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të hequr masën e sigurisë arrest shtëpie ndaj Sali Berishën.
Bardhi deklaron mes të tjerash se për më shumë se 1 vit, lideri i opozitës u pengua të ushtronte aktivitetin e tij politik dhe kjo gjë është e rëndë.
“Revokimi nga GJKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës.
Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitoi”, shkruan Bardhi. (A2 Televizion)