Kolegji Zgjedhor ka marrë pushimet. Seanca e parashikuar për këtë të mërkurë për ndarjen e mandatit të vetëm të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet nuk u zhvillua, duke caktuar si seancën e radhës 25 gushtin.
Adratik Lapaj duhet të presë deri në 25 Gusht për të mësuar nëse do të jetë ai deputet në Kuvend apo përfaqësuese e koalicionit do të jetë Ana Dajko, e para e listës së mbyllur në Tiranë, shkruan A2.
Pushimet e gjyqtarëve në Kolegjin Zgjedhor duket se po zvarrisin edhe certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit. Kodi Zgjedhor i ndryshuar në vitin 2020 dikton që pas të gjitha ankimimeve dhe shpalljeve të rezultatit nga të gjitha hallkat në KQZ e Kolegj, kërkohet edhe një mbledhje e Komisionit Rregullator i cili do të votojë përfundimin e zgjedhjeve: “Rregullatori shqyrton dhe miraton projektaktet e përgatitura nga administrata e KQZ-së, për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në shkallë vendi në përputhje me këtë ligj”.
Krahas çështjes së Adriatik Lapajt, në tryezën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor është edhe ankimi i deputetes demokrate Andia Ulliri e cila kërkon një mandat të dytë parlamentar, këtë herë nëpërmjet kuotave gjinore në qarkun e Durrësit për t’i zënë vendin Arian Ndojës.
Këto vendime marrin një rëndësi edhe më të madhe përshkak se pa votat simbolike të komisionit rregulator, procesi zgjedhor nuk konsiderohet i përfunduar, dhe si i tillë, deputetët e 11 majit nuk mund të zëvendësojnë të zgjedhurit aktual, ku afati i fundit është data 10 shtator, ditë në të cilën bëhet edhe rotacioni i legjislaturave. (A2 Televizion)