“Janë rritur tarifat me 80%”, PD: Qeveria të anulojë vendimin për shërbimet në Kadastër

Nga A2 CNN
12 Gusht 2025, 12:53 | Politikë

“Janë rritur tarifat me 80%”, PD: Qeveria të anulojë

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka denoncuar rritjen e çmimeve për shërbimet që marrin qytetarët në Kadastër.

Nga selia blu, Himçi deklaroi se vendimi i qeverisë për rritjen e çmimeve është një barrë për qytetarët, ndaj kërkoi anulimin e çdo akti nga qeveria për këtë çështje, shkruan A2. 

“Qeveria e Edi Ramës ka vendosur një tjetër goditje të rëndë për xhepat e shqiptarëve, duke rritur në mënyrë të paprecedentë tarifat e shërbimeve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Nga një analizë e detajuar e vendimit qeveritar, rezulton se tarifat janë rritur në masën 70–80%, për pothuajse çdo shërbim që ofron ASHK, duke prekur: Certifikatat e pronësisë; Regjistrimet e kontratave të shitjes, dhurimit apo shkëmbimit; Regjistrimin e hipotekave; Regjistrimin e lejeve të legalizimit; Kopjet e dokumentacionit. Kjo rritje nuk është thjesht një shifër mbi letër. Ajo është një barrë e papërballueshme për bizneset që kërkojnë shërbime hipotekimi”, tha Himçi.

“Në vend që të përmirësojë shërbimin, qeveria rrit çmimin. Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë këtë vendim arbitrar, të anulojë rritjen e tarifave dhe të kthejë paratë e mbledhura padrejtësisht”, shtoi Himçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos