Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka denoncuar kreun e SPAK-ut Altin Dumani, i cili sipas tij ka mbrojtur kryeministrin Edi Rama duke mos hapur dosjen McGonigal. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se McGonigal u kontraktua nga Edi Rama, por kreu i SPAK hesht për këtë çështje.
“Jam këtu për të denoncuar publikisht, Altin Troplinin, për heshtjen dhe mburojën e tij, mbrojtjen e tij, të Edi Ramës, Agron Nezës dhe Dorian Duçkës, duke mos hapur dosjen McGonigal. McGonigal, një armik i egër i presidentit aktual Donald Trump. Një nga njerëzit më kryesorë në aferën e dosjes së mashtrimit të madh rus, i njohur për këto botërisht, për të cilin 2 javë më parë FBI rihapi dosjen, edhe njëherë, konkretisht, për McGonigalin, Altin Troplini hesht si fija e barit. Paçka se, McGonigal u kontraktua nga Edi Rama, u kontraktua nga zyrat e Edi Ramës, iu dërguan dëshmitarë në Nju Jork për të kryer misionin e tij kundër opozitës”, u shpreh Berisha.
Sipas tij McGonigal urdhëroi Ramën të heqë licenca të një kompanie ruse, për t’ia dhënë një kompanie tjetër ruse, të lidhur me Deripaskën.
“Paçka se, famëziu McGonigal vendosi gjoba të tmerrshme, një gjer në 5 milionë euro bizneseve shqiptare, duke i mashtruar me blacklistim. Paçka se McGonigal, udhëtoi në Vjenë, duke përzgjedhur dhe një prokuror amerikan, udhëtoi në Vjenë më ministër të narkoqeverisë Rama, për të dëgjuar përrallat e Tom Doshit dhe dhe Durim Bamit, se si kishte nxitur Ilir Meta Durimin për të vrarë Tom Doshin. Pra, aktiviteti kriminal i McGonigal dhe Edi Ramës është më i dënueshmi pas atij që McGonigal ka kryer në SHBA ndaj presidentit në detyrë, Donald Trump, pas ardhjes së tij herën e parë në pushtet”.
Berisha thekson se pavarësisht këtyre, Dumani të cilit gjatë konferencës iu drejtua si Altin Troplini, mban në sirtar dosjen e tij.
“Me gjithë këto, Altin Troplini, ky mercenar, që nuk ka as ligj as oral, mban në sirtar dosjen e McGonigal prej dy vitesh, të dorëzuar aty, nga opozita. E garantoj Altin Troplinin se, do të jetë opozita që do të hetojë Ramën, McGonigalin dhe Altin Troplinin, së bashku, të lidhur ngushtë në një krim të shëmtuar”.
Berisha thekson se Opozita do të krijojë komisionin hetimor parlamentar për veprimtarinë kriminale, Rama-McGonigal, në Shqipëri e Kosovë
“Opozita do krijojë komisionin hetimor parlamentar dhe do u dëshmojë shqiptarëve veprimtarinë kriminale, Rama-McGonigal në Shqipëri, do përpiqemi të hetojmë edhe me Kosovën, se kjo veprimtari është shtrirë dhe në Kosovë, sikundër do të demaskojë me prova dhe fakte mbrojtjen që Altin Troplini i ka bërë McGonigalit, delinkuent dhe një nga protagonistët kryesorë në mashtrimin e madh të dosjes ruse për presidentin Donald Trump, në mandatin e tij të parë”. (A2 Televizion)