Në Shqipëri, pavarësisht se hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë përfshirë zyrtarë të niveleve të larta dhe përfaqësues po ashtu të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, kryeministri Edi Rama thotë se është i qetë e i vendosur që beteja ndaj pandëshueshmërisë të vijojë.
“Kjo pyetje më bëhet qëkur SPAK-u ka filluar të veprojë dhe gjithmonë më shkakton habi, sepse mund të më bëhej në mënyrë këmbëngulëse, nëse unë do të isha një person i gjendur gafil përballë produkteve ose rezultateve të një reforme të bërë nga të tjerë. Po unë nuk jam një person i gjendur gafil dhe reformën në drejtësi e kam bërë unë në krye dhe Partia Socialiste e gjitha në mbështetje të kësaj reforme. Kështu që, natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis”, thotë Rama për Zërin e Amerikës.
I pyetur nëse përfshirja në hetime e Erion Veliajt cenon apo jo imazhin e PS, Rama u përgjigj: “Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, siç ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese”.
Intervista e plotë për Zërin e Amerikës (A2 Televizion)