Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj kanë prezantuar këtë të premte platformën e koalicionit parazgjedhor. Në një konferencë për mediat, krerët e LZHK dhe Djathtas 1912 treguan dhe qëllimin e bashkimit të forcave, duke theksuar se po tentojnë krijimin e një fronti të tretë, jashtë Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
“Në kushtet kur grupimet kryesore politike kanë mbyllur listat zgjedhore dhe kanë forcuar një sistem që favorizon qeverisjen autoritare dhe të korruptuar, është thelbësore të ndërmerret një veprim i përbashkët dhe i vendosur. Të gjithë ata që mbështesin hapjen e listave zgjedhore dhe ndajnë vlerat e demokracisë duhet të bashkohen në një koalicion të gjerë dhe të fuqishëm parazgjedhor”, tha kreu i LZHK-së Dash Shehi.
“Koalicioni është në opozitë me shumicën qeverisëse. Të gjitha partitë e koalicionit angazhohen që, përpara, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të mos kenë asnjë formë bashkëpunimi politik me partitë e shumicës aktuale. Veçanërisht, anëtarët e koalicionit angazhohen që pavarësisht rezultatit zgjedhor, individual apo si koalicion, asnjë prej tyre nuk do të mundësojë krijimin e një shumice qeverisëse duke u bashkuar me partitë aktualisht në qeverisje apo subjekte politike që janë në aleancë të heshtur me të”, u shpreh Alibeaj.
Një ftesë patën edhe për forcat e tjera opozitare për të zgjeruar koalicionin dhe theksuan se procesi i ndërtimit të këtij fronti do të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke angazhuar politikën dhe qytetarët në mënyrë të barabartë. (A2 Televizion)