Pa pranga në duar dhe i shoqëruar me forca të shumta policie, Afred Beleri, ngjiti këtë të premte shkallët e godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Përveç avokates, me të ishte edhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, teksa uniformat blu mbikëqyrnin çdo lëvizje të tij.
Beleri u shpreh se ishte i vetëdijshëm që kishte humbur mandatin si kryetar bashkie, por kërkoi që procesi ndaj tij të ishte i drejtë.
“Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar por duket qartë arroganca e tyre që ti bëjnë votimet në gusht. Duhet të betohem dhe më pas të shkarkohem. Dikush do të nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e KQZ-së.”
Celibashi duke cituar vendimin e Gjykatës së Apelit konstatoi pavlefshmërinë e mandatit të Belerit, duke shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi kompentent për një vendimmarrje të tillë.
“Me bindje të plotë tej çdo komenti që çdokush mund të bëjë, unë mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë. Shpall të pavlefshëm mandatin. Kundër këtij mund të bëhet ankim brenda 30 ditëve.”
Më herët avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari dhe Sekretari për Çështjet Ligjore i PD, Ivi Kaso, kishin argumentuar se KQZ ishte në tejkalim të kompetencave dhe si rrjedhojë procedura e administrative e nisur duhej të ndërpritej.
Qasje të kundërt pati përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji.
“Procedura është e pavlefshme, keni kaluar kompetencat që u parashikon ligji,” u shpreh Klodiana Gjyzari, avokate e Fredi Belerit.
“Nuk është kjo një patate e nxehtë që duan t’ia kalojnë KQZ, këta të PS e mos të merren. Mazhoranca duhet të vërë fytyrën që pas vendimit të formës së prerë. Rama duhet të marrë përgjegjësinë ta shkarkojë dhe të thotë që kemi të bëjmë me një person që është i dënuar,” u shpreh Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Ligjore, PD.
“Nëse do të ishte bërë betimi dhe do kishte nisur detyrën, atëherë Rama mund të bënte shkarkimin,” deklaroi Eridian Salianji, përfaqësues ligjor,PS.
Beleri ka 30 ditë kohë për të ankimuar pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve vendimin e kryekomisionerit Celibashi, procedurë që Vangjel Dule deklaroi më pas se do të ndiqet.
Në përfundim të procedurave ankimuese, Presidenti i Republikës duhet të dekretojë një datë për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Bashkinë e Himarës. (A2 Televizion)