“Nuk i dhanë asnjë minutë kohë”, deputetja socialiste kritika për kolegët: Parlamenti ka degraduar

Nga A2 CNN
2 Prill 2026, 21:00 | Politikë

Romina Kuko, deputete e Partisë Socialiste, deklaroi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, se pengu i saj i madh është se sot në Kuvend duhej t’i jepej qoftë edhe 1 minutë kohë Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Autizmit.

“Mendoj që debati aty në Kuvend duhet t’i kushtohej kësaj dite qoftë për një minutë, duke qenë se kemi dhjetëra mijëra familje në vendin tonë që përballen me këtë sfidë. Unë kisha përgatitur fjalim dhe nuk patëm mundësi të flisnim. Kjo gjë është e përsëritur. E parë me sytë e një deputeti të ri, që kërkon të ndryshojë diçka, është një zhgënjim i madh”, tha Kuko.

Sipas saj, skenat që pamë sot në Parlament “nuk janë përplasje të rastësishme mes deputetëve, por tregojnë një simptomë degradimi të parlamentarizmit”.

“Tregojnë një standard të ulët të parlamentarizmit. Aty ku duhet të përplasen idetë, përplasen objekte. Kështu që, nuk ndihem absolutisht mirë, përkundrazi është një shqetësim shumë i madh, pasi ajo klimë dhune për fat të keq transferohet edhe në shoqëri”, theksoi më tej deputetja socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos