I lirë, në selinë e PD. Berisha mes mbështetësve: Mundi u shpërblye, tani është radha jonë

Nga Anesti Barjamemaj
27 Nëntor 2024, 18:46 | Politikë

Izolimi 11-mujor brenda mureve të banesës mori fund të mërkurën e 27 Nëntorit, kur Sali Berisha fitoi sërish lirinë. Pak orë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që revokoi masën e arrestit në banesë, Berisha iu drejtua shtëpisë së tij të dytë, selisë së Partisë Demokratike. 

Me këngë dhe brohorima e pritën demokratët liderin e tyre, që u rikthye pas 331 ditësh në selinë blu.

I rrethuar nga mbështetësit që të gjithë donin një përqafim me të, kreu i Partisë Demokratike u ndal te shkallët e godinës ku mbajti dhe fjalimin që fillimisht kishte programuar për konferencën me gazetarët. Berisha pohoi se përpjekjet për të blerë heshtjen e tij dështuan.

“U krye dhe kjo! Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe Xhorxh Soros, dështuan përfundimisht. Sot, ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, mundi i 3 viteve, triumfoi dhe u shpërblye. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta”, tha Berisha.

Fjalimet e mbajtura për 11 muaj me radhë në dritaren e banesës, Berisha i quajti një rekord, por shtoi se tashmë është koha e veprave: “Tani veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës. Tashmë e kemi shtruar rrugën që do sjellë Partinë Demokratike në pushtet! Së bashku triumfojmë mbi çdo armik, firmosim çdo fitore! Është radha jonë”.

Para mbëshetësve përsëriti kërkesën drejtuar kryeministrit Edi Rama që të krijojë qeverinë teknike, por në konferencën me mediat pati edhe një sfidë për kundërshtarin e tij: “Ai tmerrohej nga dritarja, imagjinojeni vetë tani në fushë. Nuk del dot ai. Të vijë nesër në debat, të vijë, po ia mbajti. Të vijë në debat televiziv po ja mbajti. Ai tmerrohej nga dritarja, pse e mori atë masë, që të më heshtte dhe pastaj mbante fjalime kushtuar dritares. Të vijë të dale në debat”.

Mes falënderimeve, nuk harroi atë për gjyqtaren që firmosi lirimin e tij, por kur u pyet nëse ka ndryshuar qëndrim ndaj SPAK, Berisha përsëriti edhe njëherë akuzat duke e cilësuar trupën e prokurorëve një organizatë kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos