Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se në Shqipëri është në pushtet një narkodiktaturë, që sipas tij të jep vetëm dy mundësi për t’u përballur me të: ‘luftë guerile ose mosbindje civile’.
Komentet Berisha i bëri gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat nga selia e PD, pas lirimit nga ‘arresti i shtëpisë’.
Berisha shtoi gjithashtu se nuk e priste vendimin e ditës së sotme të GJKKO për lirimin e tij, pasi sipas tij, drejtësia në Shqipëri është e kapur nga qeveria, shkruan A2 CNN.
“PD ka ndezur motorët e mosbindjes civile, që janë njëkohësisht motorë të fushatës për zgjedhje të lira e të ndershme. Në diktatura ka 2 rrugë. Tani kemi edhe mbështetjen ndërkombëtare.
Ose mosbindje civile, ose luftë guerrile. Ne jemi për mosbindje civile. Ky të pranojë qeverinë teknike. Hajde pastaj fito me qeveri teknike në zgjedhje të lira e të ndershme.
Nuk mund të them e prisja ose jo vendimin e sotëm të gjykatës, sepse drejtësia kontrollohet totalisht nga Edi Rama. E kam thënë dhe e them, vlerësoj çdo akt që përputhet me ligjin të çdo gjykatësi. Kjo gjykatëse mori vendim në përputhje me ligjin dhe unë e falenderova publikisht”, ka thënë Berisha.
(A2 Televizion)