Kryeministri Rama në tryezën e komisionit antikorrupsion u shpreh që puna me pronat në Shqipëri ka ende shumë punë për të bërë. Por ai shpreson që në ndihmë të Kadastrës do të jetë teknologjia që i gjithë procesi të përfundojë brenda 2028, si një detyrë shtëpie për Shqipërinë i vendosur nga BE.
“Duke folur tani për pronën ajo që është bërë shumë voluminoze dhe përmirësimi është shumë i ndjeshëm në raport me pikënisjen, por krejt i pamjaftueshëm në raport më pikëmbërritjen. Dhe për sa kohë tani pikëmbërritja jonë është ulja në tryezën e BE është themelore të kuptohet që përsa kohë pikëmbërritja jonë është BE, atëherë faktikisht volumi i punës për t’u bërë është, jo vetëm shumë më i madh sesa volumi i punës së bërë, por është edhe i panegociueshëm se ata thonë “negociata”, por nuk janë negociata, në fakt janë detyra shtëpie që duhet t’i bësh sepse jemi ne që duam të hymë në shtëpinë e tyre dhe nuk janë ata që duan të vijnë të hyjnë në shtëpinë tonë.
Modeli i AI do të na japë mundësinë që, jo vetëm të transferojmë ligjet, por edhe të kemi të dhëna krahasimore, të kemi të dhënë mbi impaktin e ligjeve.
Rasti i një konflikti prone që shkon në gjykatë dhe gjykata disponon hartën dhe harta nga përdorimi, nga palosja dhe shpalosja kush e di se sa herë, e gjithë atij territori në cepat e palosura kishte vrima dhe mendimi i gjykatës shkruan shprehimisht: ‘’konflikti nuk zgjidhet dot se prona është në vrimë’’.
Kështu që ky ka qenë procesi, kjo ka qenë sfida dhe tani të gjitha llojet e vrimave që përndryshe do të ishte dashur një kohë shumë më e gjatë për t’i mbyllur, mund të mbyllen falë teknologjisë.” (A2 Televizion)