
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Durrës, ku Nikollë Rradaçi duke drejtuar një makinë në gjendje të dehur, përplasi tre fëmijë, dy prej të cilëve gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa i treti po lufton për jetën në spital.
Ndërsa e konsideron ngjarjen “një tragjedi të vërtetë”, Berisha thotë se autori është “një monster”, i cili sipas kreut të opozitës njihet si i përkëdheluri i PS-së dhe ka qenë "imun e i paprekshëm" për policinë.
Ndër të tjera në mesazhin e tij kreu i selisë blu ka shprehur ngushëllimet për familjarët e të miturve që humbën jetën, ndërsa ka uruar shërbim të shpejtë për vogëlushin që ndodhet te Trauma.
"Një tragjedi e vërtetë! Miq, 58 vjeçari Radaçi iu mori jetën në Durrës me makinë dy djemve, njëri 10 dhe tjetri 13 vjeçar dhe të tretin 8 vjeçar e dëmtoi rëndë dhe si monstër ai ja mbathi. I la në kthetrat e vdekjes. Nuk iu dha asnjë ndihmë. Autori është i njohur si i përkëdhelur i partisë së krimit, problematik për lagjen por imun e i paprekshëm. Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet më të ndjera familjeve të engjëjve viktima. Unë i lutem Zotit që shpirti i tyre të bëhet dritë dhe prindërit të gjejnë forcën për të përballuar këtë gjëmë të rëndë si dhe uroj shërim të shpejtë vogëlushit në spital. Kurse vrasësit të fëmijëve dhe mbrojtësve të tij ndëshkimin më të rëndë", shkruan Berisha në postimin e tij në "Facebook", raporton A2CNN.
Kujtojmë që katër fëmijë ishin duke luajtur në trotuar pranë banesës së tyre në zonën e Spitallës, në momentin që mjeti tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit. Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.
(A2 Televizion)