Kreu i PD-së Sali Berisha ka nisur marshimin nga selia blu në drejtim të Kryeministrisë, i shoqëruar nga eksponentët më të rëndësishëm demokratë dhe simpatizantët. Në protestën e sotme vihet re që kryedemokrati dhe drejtuesit e tjerë të PD-së kanë hequr kollaren dhe duket se janë përgatitur për një marshim të gjatë.
Qytetarët e grumbulluar para Kryeministrisë mbajnë në duar flamujt kuqezi, ata amerikanë dhe të BE-së, ndërkohë që janë shmangur flamujt e PD-së. Po ashtu protestuesit mbajnë në duar pankarta me foto të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Engjëll Agaçit dhe Xhorxh Sorosit. Ata brohorasin "Rama ik!", "Rama në burg", apo "Poshtë komunizmi!"
A2CNN mëson se protestuesit do të mblidhen fillimisht para godinës së Kryeministrisë dhe më pas do ndahen në dy grupe, ku nuk përjashtohet shkuarja para Parlamentit dhe institucione të tjera, ku sot ka prani të shtuar të policisë. Po ashtu pritet një marshim i protestuesve në perimetrin e unazës së mesme të Tiranës.
Sikurse në protestën e së premtes së kaluar, Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit. Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
(A2 Televizion)