Igli Hasani shkon në Hagë, takon Thaçin: E sigurova që mbështetja e Shqipërisë s’do i mungojë

Nga A2 CNN
17 Prill 2024, 15:43 | Politikë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka zhvilluar një takim me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Hagë. Teksa tregon se Thaçi ishte optimist për të ardhmen, Hasani shprehet se ia bëri edhe njëherë të qartë se mbështetja e Shqipërisë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë.

“Sot në Hagë, u takova me Presidentin Hashim Thaçi.  E gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, oprimist dhe me besim të palëkundur që e drejta do të triumfojë.  Ishte vërtet mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri i brendshëm, qetësia e kthjelltësia e vizionit që ka për të ardhmen.

I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me të përpjeta e tatëpjeta. Garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht.   I përcolla zotit Thaçi urimet më të mira të drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit, të Kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve  të tjerë, si dhe sigurinë që, ashtu si më parë, mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë.

Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet, as sakrificat e bijve të tij, ashtu si dje në luftë edhe sot në paqe. E informova presidentin për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, por edhe ato në rajon, si dhe përpjekjet e pa kursyera nga ana jonë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin.

Diplomacia shqiptare, ashtu si dhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur e transparent, në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare. Një mbresë e  pashlyeshme për mua si ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, por edhe por edhe si qytetar dhe admirues i përpjekjes së Haxhim Thaçit dhe të gjithë atyre burrave, që janë brenda në këtë gjykatë për lirinë e Kosovës”, është shprehur Hasani.

Hashim Thaçi po mbahet në Hagë që nga 5 nëntori i 2020 për shkak të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përveç Thaçit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos