Imuniteti i Ballukut, PS e PD me raporte të ndryshëm nga Këshilli i Mandateve. Balla: Do ta diskutojmë në grupin parlamentar. Bardhi: Janë kërcënuar dëshmitarët

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2026, 15:30 | Politikë

Mbledhja e Këshillit të Mandateve është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca, e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave, ka nisur që në orët e paradites dhe përfundoi pas orës 15:00.

Palët nuk ranë dakord për një raport të përbashkët për të dërguar në Kuvend, ku edhe do të votohet për heqjen apo jo të imunitetit të Ballukut. Partia Demokratike tha se do të kërkojë heqjen e imunitetit, ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist, Taullant Balla, tha se do të ketë një tjetër diskutim.

“Pala tjetër nuk kishte nevojë të shqyrtonte provat sepse e kishte vendosur qëndrimin e saj. Në rastin tonë, kam informuar Këshillin e Mandateve, ne nuk ishin dakord me atë mënyrë se si ka ardhur, si është propozuar. Do të kemi një informim nga ana ime dhe anëtarëve të tjerë në mbledhjen e parë që të ketë grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Sepse autorizimin e jep seanca plenare. Pas atij komunikimi, sapo kolegu Ulsi Manja, të ketë hartuar plotësisht raportin në emrin e pesëshes tonë, pasi nuk pati dakordësi për të pasur dy relatorë, do ta dërgojmë në Parlament”, tha Balla.

“E kemi regjistruar mbledhjen të plotë. Edi Rama kishte urdhëruar sot pesë anëtarët e tij në Këshillin e Mandateve, që të bëheshin mburojë për Belinda Ballukun”, tha kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi. “Prokuroria tha se masat e deritanishme nuk mbrojnë dot hetimin e paanshëm dhe të plotë. Prokurorët u shprehën që, nëse provohen të gjitha akuzat, zonja Balluku rrezikon një dënim prej 35 vitesh. Prokurorët, në një dëshmi tronditëse, i kanë vendosur në dispozicion Këshillit të Mandatave, se si, zonja Balluku, përmes “të fortëve”, kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështje dhe së dyti përmes zyrtarëve të lartë publikë, anëtarë të kabinetit të zonjës Balluku, të cilët kanë kërcënuar dëshmitarët dhe i kanë ofruar para”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste argumentojnë se masa aktuale e pezullimit nga detyra është e mjaftueshme për të garantuar një hetim të plotë dhe theksojnë se faza hetimore nuk prezumon fajësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos