Ilir Meta mund të rifitojë lirinë pak ditë pas zgjedhjeve të 11 Majit. Me garancinë e një pozicioni të sigurt në listat e kandidatëve për deputetë, ofruar nga aleati i tij Sali Berisha, mandati i deputetit bën që masa e arrestit dhënë nga Gjykata e Posaçme të bjerë. Precedentët ekzistojnë dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve duket se është në dijeni, ndonëse për momentin nuk pranon të flasë përemra të përveçëm.
Në rastin kur z. Meta do të dalë deputet në zgjedhjet e 11 Majit çfarë ndodh më tej? Kujtoj se kemi pasur një rast të ngjashëm në 2001 me Azgan Haklajn në Tropojë dhe asokohe ju ishit Kryetari KQZ, u pyet kreu i KQZ nga gazetarët .
“Nuk mund në këtë moment të jap një vendim për një çështje, e cila mund të jetë potencialisht objekt i shqyrtimit nga komisioneri madje edhe nga institucione të tjera”, përgjigjet Celibashi.
Efektet ligjore të imunitetit parlamentar lidhen me momentin e fillimit të mandatit të deputetit, rast për të cilin Ilirjan Celibashi citon Kushtetutën, duke theksuar se kandidati cilësohet deputet nga momenti i shpalljes si i tillë nga komisioni përkatës zgjedhor.
“Ajo çfarë Kushtetuta parashikon është fakti që çdo kandidat për deputet që shpallet fitues, e fiton mandatin që nga momenti që komisioni përkatës zgjedhor e konfirmon si të tillë, si kandidat fitues”.
Referenca ligjore e cituar nga Celibashi është Neni 71 i Kushtetutës që në pikën 1sanksionon se “mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve”.
Çfarë komplikon situatën, është neni 72 i Kushtetutës që nënvizon se “para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend”. Për më tepër, në seancën e kostituimit të Parlamentit, ngrihet një komision i përbërë nga deputetë i cili bën verifikimin e mandateve, një tjetër hap procedural që – në varësitë vullneteve politike - mund të përdoret për të kundërshtuar kthimin në liri të Ilir Metës. (A2 Televizion)