“INSTAT të publikojë të dhënat”, Bozdo: Popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 35%

Nga A2 CNN
23 Janar 2024, 15:22 | Politikë

Partia Demokratike e Rithemelimit me anë të anëtarit të Kryesisë, Eno Bozdo, kërkon nga INSTAT publikimin e të dhënave të CENSIT. Bozdo nga selia blu deklaroi se rezultatet e CENSIT mund të manipulohen.

“Lajmërimi i INSTAT se rezultatet nuk do të mund të shpallen përpara qershorit, është një kambanë e fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që qeveria do të na servirë. Vonesa e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve të censusit në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, nga qeveria Berisha, këto rezultate u shpallën brenda 3 muajsh, hedhin dyshime të forta mbi shifrat që qeveria do të na servirë, veçanërisht mbi temën më të nxehtë, atë të braktisjes masive të vendit në dekadën e fundit. Të dhënat zyrtare të BE-së, tregojnë se afro 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi. Informacionet paraprake që vijnë në rrugë informale tregojnë se edhe censusi i fundit konfirmon këtë fakt, se në Shqipëri jetojnë vetëm 1,8 milionë banorë, nga 2,8 milionë banorë që jetonin në vitin 2011. Po këto të dhëna informojnë se presioni politik mbi INSTAT është shumë i fortë për të fshehur të vërtetën e tmerrshme të braktisje së Shqipërisë. Partia Demokratike i bën thirrje INSTAT që të ruajë integritetin dhe profesionalizmin duke na ofruar vetëm shifrat e vërteta. E vërteta është se popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 35% gjatë kësaj dekade”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos