25 ditë i mbyllur në shtëpi, Berisha në SPAK: Beteja vazhdon

Nga A2 CNN
23 Janar 2024, 09:56 | Politikë

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka lënë mëngjesin e së martës ambientet e shtëpisë së tij për t’u drejtuar në Prokurorinë e Posaçme.

Berisha pritet të merret në pyetje nga prokurorët në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani".

Prej 30 dhjetorit, kreu i demokratëve qëndron në shtëpi me masë arresti, nga ku iu ka drejtuar mesazh mbështetësve të tij, të cilët janë mbledhur çdo mbrëmje poshtë dritares.

Disa ditë më parë, SPAK refuzoi kërkesën e Sali Berishës për të qenë i pranishëm në seancat e Kuvendit, edhe pse ndaj tij është dhënë masa e sigurisë arrest në shtëpi. Kërkesën për të marrë pjesë në seancat plenare e kishin bërë avokatët e tij, Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj, por nuk është miratuar. Masa e sigurisë ndaj Berishës ka hapur debatin, nëse atij do t’i ndërpritet mandati i deputetit, nëse mungon për më shumë se 6 muaj në Kuvend. 

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese thotë se SPAK dhe GJKKO nuk janë në përputhje me Kushtetutën në lidhje me masat e para shtrënguese të dhënë ndaj Sali Berishës. Bëhet fjalë për masat "bllokimi i pasaportës" dhe "detyrimi i paraqitjes" në SPAK.

Në pikën 15 të arsyetimit, Gjykata Kushtetuese thotë: “Kërkuesit, pjesë e institucionit të Kuvendit, si subjekt kushtetues i është mohuar kompetenca për t’u shprehur me votë, lidhur me dhënien ose refuzimin e autorizimit paraprak për kufizimin e lirisë, në çdo lloj forme të një deputeti të Kuvendit. Vetëm Kuvendi ka në kompetencë të diskutojë e të vendosë me votë për lejimin ose jo të kufizimit të lirisë së deputetit, në çdo formë, kur kjo kërkohet në rrugë institucionale nga organi i prokurorisë. Vendimet e marra nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme, duke mos kërkuar autorizimin paraprak të Kuvendit përpara miratimit të masave shtrënguese, janë bërë baza për lindjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes pushtetit legjislativ, nga njëra anë dhe pushtetit gjyqësor, nga ana tjetër”.

“Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme, në kundërshtim me Kushtetutën, e kanë konsideruar veten kompetente për të vendosur nëse duhet pyetur ose jo Kuvendi paraprakisht përpara vendosjes së masave shtrënguese që kufizojnë lirinë e deputetit, duke vendosur me vullnetin e tyre mosdërgimin e kërkesës në Kuvend. Për rrjedhojë, vendimmarrjet e tyre, për sa i takon refuzimit për t’iu drejtuar me kërkesë për lejimin e vendosjes së masave të sigurimit personal ndaj deputetit të Kuvendit, nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën”, shton Kushtetuesja.

Por, çfarë do të thotë kjo për Sali Berishën?

Sipas Gjykatës Kushtetuese, “kjo do të thotë se deputeti, në cilësinë e individit, gëzon të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar kësaj Gjykate kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos