I ftuar në A2 CNN, gazetari Lutfi Dervishi ka folur për protestën e opozitës, të cilën e ka konsideruar ndryshe. “Është një protestë ndryshe. Ka një rritje të intensitetit të protestave. Protesta zhvillohet në kushte të tjera”, tha Dervishi.
Ai gjithashtu ka argumentuar që me shkarkimin e Belinda Ballukut, objektivi i protestave të opozitës ka ndryshuar nga protestat e kaluara. “Edhe objektivi i protestës që ishte zëvëndës-kryeministrja ka rënë dhe kërkesa kryesore mbetet qeveria teknike”.
I pyetur mbi ndikimin e presionit të protestave të opozitës në lidhje me ndryshimet e shpeshta të kabinetit të qeverisë, Lufti Dervishi beson që ka pasur një sinkronizim të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë sjellë ndryshimet në qeveri.
“Gjenerimin këto (ndryshime) e kanë nga SPAK-u, nga presioni ndërkombëtar dhe presioni i brendshëm. Në presionin ndërkombëtar ka qenë dhe media dhe narrativa e medias ka qenë në sinkron me kërkesat e opozitës. Ndryshimi i qeverisë dhe mbajtja nën presion e qeverisë ka qenë rezultat dhe i protestave në rrugë”, tha ai.
Megjithatë, i ftuari vlerëson që faktori kryesor për rrënimin e qeverisë është një tjetër. “Faktor kryesor për rrënimin e qeverisë është vetë qeveria”. Ndërsa në lidhje me hedhjen e molotovëve në rrugë nga protestuesit, gazetari mendon që hedhja e tyre mund të jetë veprim i gabuar. “Hedhja e molotovëve në rrugë duket krejt pa sens dhe ndoshta kundër-produktiv”. (A2 Televizion)