Kryeministri Edi Rama, në rubrikën e tij “Sy m’ sy” në rrjetet sociale, ka ironizuar opozitën, duke thënë se sot “është zgjuar i mërzitur për shkak se Kujtim Gjuzi dhe Dashnor Sula janë lënë jashtë listave”.
“Jam i mërzitur se Kujtim Gjuzin e kishin lënë në “det të hapur” dhe nga ana tjetër në “det të hapur” kishin lënë edhe një gjel deti të Peqinit. Por, për Kujtimin u mërzita shumë sepse është përfaqësuesi më dinjitoz i Shqipërisë madhështore”, tha Rama, shkruan A2.
“Doni të shikoni VIP-at e “kënetës”? Shikoni listën e mbyllur të kryeqytetit të “Shqipërisë madhështore”. I madhi Dash Sula, që nuk ka lënë gjë pa bërë për ta kapur një vend në tribunën VIP u la në det të hapur dhe me sa mora vesh unë, u arratis. Ama, vazhdon të besojë që Shqipëria bëhet dhe u fut te “Shqipëria bëhet”. Në fund të ditës, “këneta” nuk pajtohet dot me një gjel deti Peqini”, shtoi më tej Rama.
(A2 Televizion)