Lulzim Basha në çdo dalje të tij publike në javët e fundit ka drejtuar gishtin tek të gjithë kundërshtarët, duke i quajtur edhe ramizist. Shënjestër e sulmeve të Bashës ka qenë dhe Ilir Meta, për të cilin ka thënë se është pjesë e pazareve okulte me Edi Ramën.
Këtyre akuzave kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu përgjigj me të njëjtën monedhë gjatë një konference për mediat.
“Dhe unë jam pjesë e pazareve që ka votuar ky në 2008 dhe kam bërë grevë urie dhe kam paralajmëruar se ku do shkonte Shqipëria sot, apo e pazarit të 17 Majit. E di e gjithë Shqipëria se kush është njeriu i pazareve, se kush mbahet peng për të dëmtuar opozitarizmin”, tha ish presidenti.
Një përgjigje pati dhe për akuzën e bërë nga Basha se ai përfaqëson politikën e vjetër.
“Nuk bëhesh i ri duke lyer flokët, as duke thënë që unë jam fitimtar se bëj lapsuse siç bën dhe Presidenti i Amerikës”.
Nga rrjeti social X, Lulzim Basha vijoi sërish me të njëjtën retorikë, duke i qëndruar bindjes së tij së Rama, Berisha e Meta janë bashkë kundër shqiptarëve.
“Jo vetëm që janë në pazar me njëri-tjetrit, por dihet se kur mblidhen bashkë Rama, Berisha dhe Meta diçka po luajnë në kurriz të shqiptarëve. Këtë radhë janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore, sepse vetëm kështu mund të vijojnë me pazaret e vjetra të bëra në kohë të reja”, shkruan Basha.
Stërvitja intensive në palestër dhe vrapi maleve i Ilir Metës duket se ka kapur edhe syrin e Lulzim Bashës në rrjetet sociale, teksa përpiqet t’i dërgojë kreut të Partisë së Lirisë edhe mesazhe përmes figurave letrare.
“Personalisht nuk impresionohet nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga. Dhe kur të mbaron rruga, nuk ka mal që të bën derman”.
I zemëruar për jetën politike që e la jashtë tryezës së bisedimeve Lulzim Basha vijon turin në kuvendet zgjedhore në degët e partisë së tij në rrethe. Ndërsa Ilir Meta, krahas opozitarizimit përmes nismave për grupe të caktuara shoqërore, i është rikthyer kohët e fundit sportit, pasionit të tij të rinisë. (A2 Televizion)