Është shoqëruar me debate dhe akuza të ndërsjella seanca e sotme plenare në Kuvend, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u përplas me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Kreu i grupit demokrat, akuzoi ministrin dhe mazhorancën se po përdor çështjen e antisemitizmit, duke i sjellë në vëmendje incidentin e grisjes së flamurit të Izraelit pranë ambasadës dhe duke pyetur pse autorja nuk është identifikuar ende.
“Erdhe këtu dhe dënove dhe bëre shumë mirë grisjen e flamurit të Izraelit në ambasadën e Izraelit. Di gjë kush e kreu? Ju që i bëni biografinë qytetarëve brenda 30 minutave se kush është ai që foli, kush hyri në protestë, kush doli? Nuk dini se kush është ajo zonja e maskuar që në prezencë të Policisë së Shtetit, gris flamurin e një vendi mik siç është Izraeli, futet jo mes protestuesve, por në një institucion kulturor siç është Muzeu i Shtëpisë me Gjethe, pra futet brenda institucionit shtetëror dhe ne sot nuk kemi asnjë deklaratë, asnjë hetim nga policia se kush është ky person”, u shpreh Bardhi.
Në lidhje me antisemitizmin ai i bëri thirrje ministrit të anulojë koncertin e Kanye West, sikurse ka vepruar çdo vend perëndimor.
“Na flisni ju për antisemitizëm, po anuloni koncertin e Keni West. A është ky simboli i antisemitizmit në botë? Ai është anuluar koncerti i këtij zotërisë në çdo vend perëndimor për shkak të qëndrimeve që ai mban?”, u shpreh Bardhi.
Debati u tensionua kur Gonxhja ndërhyri nga vendi, ndërsa Bardhi iu përgjigj me fjalët: “Ti di vetëm me vjedhë. Je një hajdut i certifikuar.”
Bardhi vijoi sulmet ndaj mazhorancës, duke e akuzuar se po refuzon debatin mbi rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Sipas tij, mazhoranca po i shmanget diskutimit sepse dokumenti evidenton probleme si korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe lidhjet me krimin e organizuar. (A2 Televizion)