Një grup protestuesish u mblodhën këtë të martë para godinës së Kuvendit, ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare. Tubimi, i paralajmëruar pas protestës së përnatshme para Kryeministrisë, u shoqërua me thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg”, “Parlamenti i krimit” dhe “Ju erdhi fundi”, ndërsa kërkesat kryesore të tyre mbetën anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura, dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike.
“Janë pothuajse të gjitha thirrje që bëhen çdo mbrëmje para kryeministrisë. Tashmë kanë kënduar në kor Ju erdhi fundi. Janë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Siç mund të shihet edhe nga pamjet, janë të pakta banderolat që janë në këtë protestë. Mund të lexohen parlamenti i krimit. Një zonjë mban në trupin e saj një banderolë; 35 vjet shkatërrim, korrupsion, vjedhje, shpopullim. Parlament 35 vjet në shitje, doktoraturë me premtime, master për mashtrime është një tjetër banderolë. Ka banderola të cilat thonë që Shqipëria nuk është në shitje, por janë më të pakta në numër ditën e sotme, ndryshe nga ato protesta që zhvillohen çdo mbrëmje para kryeministrisë. Ndërkohë thirrjet janë të njëjta, ku tashmë është thirrja poshtë komunistët”.
Gazetari i A2 CNN Anesti Bajrjamemaj, në një lidhje nga jashtë sallës së Kuvendit deklaroi se për të shmangur përplasjet me protestuesit, deputetët e mazhorancës dhe opozitës hynë në Kuvend më herët dhe nuk u shënuan incidente
“Deputetët e socialistë dhe disa deputetë demokratë kanë zgjedhur hyrjen tjetër për të hyrë në parlament. Nuk kanë pritur orën 10:00 për të hyrë në parlament, por kanë shkuar aty më herët për të shmangur edhe përplasjet me protestuesit, siç ka ndodhur në protestën e dy javën parë kur deputeti Ardit Bido hyri mes turmës dhe pati një përplasje, një debat që mund të shkonte edhe më tej me disa protestues. Ditën e sotme socialistët kishin marrë urdhër që të hynin më herët. Po ashtu edhe demokratët kanë zgjedhur hyrjen qendrore dhe jo hyrjen anësore të parlamentit dhe nuk ka pasur incidente me protestuesit. Vetëm kur pak minuta më parë ka hyrë deputetja Sara Mila dhe protestuesit e kanë vërejtur hyrjen e saj, kanë pasur thirrje kundër saj, por ajo ka vijuar drejt parlamentit dhe nuk ka pasur asnjë incident”.
Në një lidhje me A2 Sot me Suela Demirin, gazetari i A2 CNN Indrit Maraku deklaroi se protestuesit synojnë krijimin e një Kuvendi Kombëtar të Qytetarëve, një strukturë që do të propozojë një qeveri teknike tranzitore.
“Ditët e fundit në protestë dhe nga protesta po artikulohet ideja e krijimit të një Kuvendi kombëtar të qytetarëve dhe këtu detajet mbeten të gjitha për t'u saktësuar në të ardhmen, pasi dëgjojmë variante të ndryshme. Është një variant për një kuvend kombëtar me 150 përfaqësues. Një tjetër variant që mund të jetë dhe më i gjerë duke përfshirë diasporën me 300 përfaqësues. Ndërkohë që gjatë një interviste që unë arrita të zhvilloj mbrëmjen e djeshme me një nga organizatorët e protestës, ai tha se mund të jetë dhe më e madhe se kaq pjesëmarrja, përfaqësimi i qytetarëve në këtë kuvend kombëtar. Mund të shkojë numri dhe në 500. Por përtej këtyre teknikaliteteve çështja është që ky kuvend kombëtar i qytetarëve që mund të lindë nga protesta nuk dëshiron të ketë asnjë marrëdhënie me këtë kuvend zyrtar të Republikës së Shqipërisë. ky kuvend kombëtar i protestës, sipas organizatorëve të protestës që të miratohet dhe të dalë dhe ajo që cilësohet si qeveri teknike tranzitore”, deklaroi gazetari i A2 CNN Indrit Maraku.
Një ditë më parë protestës iu bashkua edhe eurodeputetja e të Gjelbërve, Kristina Guarda, e cila tha se mbështet kauzën ambientaliste dhe kërkesën për respektimin e të drejtës së qytetarëve për t'u dëgjuar në proceset vendimmarrëse. Megjithatë, ajo theksoi se nuk nuk ndërhyn në punët e brendhsme të një shteti, në lidhje me kërkesat politike të protestuesve, si dorëheqja e qeverisë apo krijimi i një qeverie teknike. (A2 Televizion)