
Kryeministri Edi Rama foli në një intervistë për median e njohur amerikane CNN, ku u pyet për projektin në Zvërnec. Gjatë intervistës, Rama u përplas edhe me gazetaren, e cila e pyeste vazhdimisht për projektin, ndërsa kryeministri theksonte se nuk ka asnjë projekt dhe se këto janë lajme të rreme.
Kreu i qeverisë ka hedhur poshtë ato që i cilëson si lajme të rreme mbi “protesta në mbarë Shqipërinë”, duke saktësuar se bëhet fjalë për një tubim në kryeqytet.
“Para së gjithash, nuk ka asnjë projekt. Ata po flasin për një projekt që nuk e ka parë askush tjetër përveçse në imazhe të rreme të krijuara dhe të shpërndara në rrjetet sociale në Shqipëri, sepse ne jemi në një luftë hibride”, tha Rama ndër të tjera.
Gazetarja e CNN e pyeti disa herë nëse projekti do të vazhdojë apo është ndalur, si dhe për raportimet e mediave ndërkombëtare për një hetim të SPAK. Rama këmbënguli sërish se nuk ka projekt dhe se hetimi lidhet me çështje të tjera pronësore, jo me investimin apo me emrat e përfshirë.
“Nuk ka projekt. Hetimi ka të bëjë me një nga pronarët e tokës. Nuk ka lidhje me Kushnerin apo Trumpin. Gjithçka tjetër është sensacionalizëm”, tha ai.
Rama theksoi se Shqipëria, sipas tij, po përballet me një “sulm hibrid” të përbërë nga dezinformimi, konkurrenca rajonale dhe rrjete të organizuara online, ndërsa shtoi se nuk ekziston as “ishulli i familjes Trump” dhe as një projekt i finalizuar për zonën e Zvërnecit. (A2 Televizion)