Dy ditë pasi prezantoi partinë “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj tregoi në A2 CNN sfidat dhe synimet deri te zgjedhjet e ardhshme elektorale. Duke e cilësuar si një bashkim të vlerave të djathta, ai tha se emri i kësaj force të re politike është një simbol që i bën bashkë shqiptarët.
“Bashkimi i vlerave të djathta, mënyrë e mirë për të bërë bashkë njerëzit. Bashkimi rreth vlerave jo rreth individëve. Eksperiencat kanë treguar që bashkimet kanë qenë rreth individit. Është e domosdoshme të ndryshohet ky model. Ne kemi identifikuar; individi, prona, familja, shteti i vogël liria e tregut besimi ën zot janë ato vlera që ky vend ka nevojë viti 1912 ka një lloj emocioni është një simbol që i bën bashkë shqiptarët. Bëhet fjalë për ata të djathtë që kjo shoqëri nuk i ka patur asnjëherë”, tha ai në A2.
Partia do të jetë pa kryetar dhe do të drejtohet nga një grup kolegjial deri në zgjedhjet parlamentare, tha Alibeaj në A2. Zgjedhjet do të jenë një test për të gjithë nismëtarët që nëse nuk arrihet objektivi zgjedhor do të dorëhiqen.
“Pas 7-8 muajsh do jemi në zgjedhje ne jemi nismëtarë të formimit të subjektit dhe koha nuk premton, së dyti kemi diskutuar që po nëse do të krijojmë një model të ri të organizimit partiak çështja e parë është shembulli kundër kryetarokracisë. Sfida është: A mundet të bëhemi bashkë rreth ca vlerave? Është një test që duhet ta kalojmë. Në projekt statut kemi vendosur dhe ca rregulla të tjera. Kryetari kur të zgjidhet nëse nuk arrin objektivin e vet elektoral dorëhiqet pa asnjë koment ai dhe kupola drejtuese. Deri në zgjedhje kjo parti nuk do të ketë një kryetar. Do të ketë një grup nismëtar dhe kolegjial. Në këtë periudhë të përkohshme ka një kolegjialitet. Meqë jemi në stinë elektorale kush nuk arrin këtë objektiv ikën. Është shumë e thjeshtë dhe nuk është dramë. Në lista kush do të dojë në këtë sigël dhe në koalicion ka të drejtë të vetëkandidojë dhe e gjithë anëtarësia do të votojë online për të bërë renditjen dhe kush voton anëtarësinë ka të drejtën të kandidojë. Gara përballë publikut dhe anëtarësisë. Jemi të gjithë në test. Do jemi në test dhe pas zgjedhjeve”, deklaroi Alibeaj në A2.
Ai u shpreh i gatshëm për bashkimin e të gjitha partive të vogla dhe të reja dhe me këdo që ndajnë të njëjta parime e vlera kundër politikës së vjetër. Alibeaj bëri të ditur se me Dashamir Shehin ka rënë dakord, ndërsa me Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin ende.
“Rama e Berisha në 2008 të mbylli listat të mos lejojnë asnjë parti jashtë kontrollit Rama-Berisha që të futet në skenë politike, ndaj sot unë jam me këtë pozicion që të gjitha partitë e reja të vogla (nuk është turp të jesh i ri dhe i vogël, turp është të jesh i vjetër) në këtë situatë të grumbullohen në një arqipelag partish në formë koalicioni. Shehi ka qenë i pari që e ka artikuluar që kjo është një zgjidhje e mirë, por nëse kjo nuk u duket e mirë të bashkohen bashkë kundër status-quo- së së vjetër. Unë di të them që ky është qëndrimi ynë. Çështjet që na bashkojnë; mbështetja ndaj drejtësisë, mbështetja ndaj shqiptarëve që do të thotë lista të hapura, kush kërkon të jetë përfaqësues i shqiptarëve në parlament duhet të ketë kurajon që ta marrë legjitimitetin me votë dhe jo me listat e mbyllura, së treti mbajtja e raporteve me ndërkombëtarët dhe të mos kenë asgjë me të vjetrit. Me Shehin kemi rënë dakord, me Lapajn e Shabanin ende”.
I pyetur sesa mandate pretendon në zgjedhjet e ardhshme, Alibeaj u përgjigj: “Nuk kemi bërë llogari sa mandate do të marrim edhe nuk do ta themi se do të ishte hipokrizi, nuk e dimë, por di që në 2021 Rama ka marrë vetëm 48% të shqiptarëve. skandalet janë plot, gjysma e ministrave e deputetëve në burg po i vërtitet dhe atij. SPAK në këtë mandat po jep efektet. E pritshme është që t’i ulet mbështetja popullore. Ka një rang 350 mijë votash që sot refuzojnë dy partitë e vjetra. Këta duhen përfaqësuar. Edhe për t’i hequr nja mandat Ramës ia vlen, se ato vota që rrinë në shtëpi shkojnë në favor të Ramës. Do të vendosë shqiptarët në kllapi. Çdo gjë për t’i ulur mandatet Ramës”.
Alibeaj përjashtoi mundësinë e bashkimit me ata që janë kundër drejtësisë së re dhe tha se një ofertë e besueshme për shqiptarët do të sjellë ndryshimin.
“Nuk mund të bashkohem kurrë me një subjekt që godet drejtësinë e re, sidomos kur je në opozitë. Jepu mundësinë shqiptarëve, krijo ofertë të besueshme dhe do ta bëjnë ata ndryshimin, Rama është në pakicë, por forca e vetme që e mund atë janë shqiptarët. Rruga e vetme është; bashkim por jo sipas aleancës së qelbësirave të Ramës, por me ca vlera kush pranon këto vlera dhe të mbështesë drejtësinë, krijon marrëdhënie të shëndetshme me ndërkombëtarët ka vendin e vet”.
(A2 Televizion)