"Jeni bashkëpunëtor në krim"- Nesturi debat me zyrtarin e PD: S'ka opozitë që del kundër ndërkombëtarëve

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2025, 21:31 | Politikë

Politologu Plator Nesturi dhe Ted Kopliku, drejtor i Brain Gain në Partinë Demokratike, debatuan në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Sipas Nesturit, “opozitës i ka ikur treni prej kohësh”, duke e lidhur me qëndrimin e saj ndaj drejtësisë dhe ndaj SPAK-ut.

“Për mua, opozitës i ka ikur treni prej kohësh sepse ka të bëjë me qëndrimin ndaj drejtësisë dhe sidomos ndaj SPAK-ut. Këmbëngul te ky aspekt. Mazhoranca ka qenë në mbështetje të SPAK-ut, pavarësisht se i pëlqen apo jo, e kanë bërë këtë gjë dhe ky është një element i cili për mua është pozitiv. Kjo nuk e bën aspektin tjetër që të thuhet që SPAK-u është i Ramës. Ka rënë ajo teza me të cilën mund të mbrohet deri tani Berisha që çdo hetim që bën ndaj tij SPAK-u është sepse është në shërbim të Ramës. Mazhoranca kundërshtimin po e bën në formë ligjore, jo duke akuzuar ose duke bërë anatemime të tilla, që ta quajë si organizatë kriminale. Në këtë aspekt, të ndjekësh rrugën ligjore je në të drejtën tënde dhe këtu ka një ndryshim jashtëzakonisht të madh. Ka rënë teza që SPAK është shërbim të Ramës. Përderisa SPAK ka vajtur brenda në tryezën e qeverisë është normale që kjo tezë ka rënë. Nga ana tjetër, edhe opinioni publik ka një mbështetje goxha të madhe dhe që po e rrit kredibilitetin e vet”, tha Nesturi.

Kopliku ndërhyri duke thënë: “Çfarë treguesi është kjo, mbështetja e opinionit publik? Prandaj ju shtyni tezat e SPAK-ut. Pra, ju idealizoni SPAK-un sepse opinioni publik mendon që është duke bërë drejtësi. Thoni të vërtetën e plotë. OSBE/ODIHR thotë që drejtësia ka dëmtuar liderët e opozitës, pra ka dëmtuar opozitën me vendimet e saj. SPAK ka shkuar te tryeza e ministrave, por asnjëherë në zyrën e kryeministrit shqiptar, që është burimi i të gjitha vendimeve dhe të gjitha presioneve që bëhen për këto vjedhjet që janë spektakolare. Kjo duhet të shqetësojë më shumë shqiptarët besoj”.

“Jeni bashkëpunëtor në krim pra. Po dalin të gjitha gjërat. Prandaj them unë që ka rënë sistemi. Nuk kam parë pozitë që të dalë kundër opinionit publik dhe ndërkombëtarëve”, ia ktheu Nesturi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos