Politologu Plator Nesturi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se “sistemi ka rënë” dhe shtoi se bashkë me të ka rënë edhe opozita si pjesë e këtij sistemi, duke theksuar se kjo opozitë nuk di se si të qaset me SPAK-un.
“Për mua është një formë e vjetëruar e të bërit të politikës dhe kush nuk nxjerr mësime pa dyshim që nuk ka vlerë dhe t'i përshtatet zhvillimeve të reja, të cilat padyshim janë duke fryrë vrullshëm tashmë. Nuk ka erë aty në bulevard pikërisht sepse nuk është ndonjë politikë e re që të mëshirojë apo të frymëzojë me oksigjen në politikën shqiptare dhe kjo është e vërteta. Thuhet që objektivi i opozitës është Rama. Mua më duket së pari është një mënyrë për të fshehur, është një gjysmë e vërtetë, sepse çdo opozitë normale do bëjë kundër mazhorancës, por ajo çfarë është në thelb është mënyra se si i qaset një realitet i cili ka ndryshuar. Ky sistem ka rënë dhe derisa ka rënë sistemi, pjesë e këtij sistemi është opozita. Pra, derisa kemi të bëjmë me elementin më të qenësishëm në politikën shqiptare që është SPAK. Dhe përderisa kjo opozitë nuk di të qaset dhe të orientohet drejt me SPAK-un dhe me atë që po sjell në politikën shqiptare, pa dyshim që nuk mund të rrezatojë asgjë”, tha Nesturi.
“Unë mendoj se aleatin që ka humbur opozita së pari është qytetari dhe nuk di t'i orientohet dhe ta ftojë këtë qytetar për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Ne pamë zgjedhjet në të cilat u abandonua politika. Pra, Vlora ishte 12%, 18% në rang vendi dhe ky ishte një mesazh i qartë që kjo lloj skeme nuk mund të funksionojë më”, shtoi Nesturi.
(A2 Televizion)
