Enno Bozdo, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se Partia Demokratike do të kërkojë fond të veçantë për fermerët pas situatës së kaluar prej tyre me përmbytjet si pasojë e motit të keq.
“Deri tani kemi qenë një opozitë që ka luftuar në çdo front që e kemi patur të mundur. Jeta parlamentare për ne nuk ka qenë e thjeshtë. Kemi pasur mundësi të bëjmë debat vetëm një herë në 10 apo 11 seancat e fundit. Kemi bërë një opozitë, do të thoja unë, shumë të vlefshme në komisionet parlamentare dhe mendoj që shqiptarët janë koshientë për këtë. Përpara kemi një javë apo dy javë shumë të rëndësishme që kanë lidhje me buxhetin dhe paketën fiskale. Ne do vijmë përpara shqiptarëve me propozime konkrete, por edhe në ato raste kur do kundërshtojmë, do kundërshtojmë bazuar në argumenta. Të gjitha këto do t’i sqarojmë duke ngritur vërtetë problemet që shqetësojnë shqiptarët. Për shembull, ne që nesër besoj se do fillojmë të kërkojmë alokimin e një fondi të veçantë për fermerët. Veçanërisht, meqënëse jam deputet i Qarkut të Beratit, unë do them që fermerët e Dimalit të Kuçovës edhe të Beratit, por veçanërisht në këto dy zona, janë dëmtuar jashtë mase rëndë nga përmbytjet dhe kanë humbur pothuajse gjithçka dhe jo për fajin e tyre, por për faj se pushteti vendor është jofunksional. Dhe paratë që shkojnë për argjinaturat, për shtrimin e kanaleve janë paguar, por puna nuk ka ndodhur. Kështu që përmbytja ka qenë e shumëfishtë. Kështu që unë personalisht, në emër të Partisë Demokratike, duke filluar nga nesër do kërkojmë alokimin e një fondi të veçantë për të dëmshpërblyer 100% fermerët”, tha deputeti demokrat.
“Ndryshe ata e kanë të pamundur të mbijetojnë. Kjo është një mënyrë e të bërit të opozitës nëpërmjet Parlamentit. Sigurisht që do vijnë edhe ide, propozime, argumenta të tjera për të cilët në dy javët që vijnë derisa të kemi seancën ku paketa fiskale dhe buxheti do të kalojnë nen për nen, që do jetë dhe seanca përmbyllëse.
“Ajo që mund t'ju them është që në asnjë vend ku bëhet opozitë, Partia Demokratike nuk do të mungojë”, shtoi Bozdo. (A2 Televizion)
