“Jo më seanca pas orës 22:00” PD depoziton draftin për Rregulloren e Kuvendit

Nga Anesti Barjamemaj
13 Maj 2026, 17:08 | Politikë

“Jo më seanca pas orës 22:00” PD depoziton draftin

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvend draftin me propozime se si duhet bërë rregullorja e re e Kuvendit. Teksa në Kuvend ka nisur puna për rregulloren e re, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk pranoi ndryshimet e njëanshme të Partisë Socialiste të miratuara në shtator, demokratët këtë herë janë përfshirë në proces.

Në dokumentin e siguruar nga A2CNN, deputetët e Partisë Demokratike shprehen kundër propozimeve të shumicës duke i konsideruar si kufizim të hapësirave për pakicën.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është kundër çdo lloj ndryshimi që synon të kufizojë hapësirat dhe të drejtat e opozitës në Parlament.

Në fakt, një pjesë e ndryshimeve të propozuara synojnë ekzaktësisht kufizimin e mëtejshëm të këtyre të drejtave, duke i shndërruar nga një kufizim faktik në një kufizim juridik. Kështu, propozimet për reduktimin e kohës së diskutimeve nga 10 në 5 minuta, shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i projektligjeve që synojnë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian apo heqja e raportimit të drejtuesve të organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj në komisionet e përhershme parlamentare dhe në seancën plenare, janë përpjekje të qarta për të minuar funksionimin demokratik të Parlamentit”.

Demokratët kërkojnë që t’i vënë fre edhe përjashtimeve nga shumica, duke propozuar edhe pezullimin e vendimit të Etikës kur bëhet ankesë në Byronë e Kuvendit.

“Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën përbëhet nga një sekretar dhe pesë anëtarë, në raporte të barabarta ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare”.

Tejzgjatja e seancave duket se është një tjetër shqetësim i demokratëve, ndaj kërkojnë që Kuvendi të mos ketë diskutime pas orës 22:00.

“Në rast të zgjatjes së seancës plenare përtej orës 22:00, me kërkesë të kryetarit të një grupi parlamentar, seanca plenare ndërpritet dhe rifillon ditën pasardhëse në ora 10:00.”

Një tjetër kërkesë e deputetëve të Partisë Demokratike lidhet edhe me shtimin e stafit politik, ku këkojnë që të kenë nga një për çdo komision. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos