
Gjykata e Shkallës së Parë njofton se pasi ka vlerësuar kërkesën e Mereme Selës, për shpalljen të pavlefshme të garës për kreun e PD, ka kthyer kërkesëpadinë duke konstatuar se “aktet ishin me të meta”. Paditsja, e cila u skualifikua nga gara për drejtuesin e selisë blu, ka të drejtën e ankimimit në Apel, shkruan A2CNN.
“Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Doma Civile, në datën 06.05.2026, është paraqitur kërkesa me Paditëse Mereme Sela me objekt: “1. Shpallja e pavlefshme absolute e vendimit për skualifikimin e paditëses nga gara për Kryetar të PDSHse; 2. Detyrimi i palës se paditur për rikthimin e paditëses në garë; 3. Shpallja e pavlefshme absolute e kandidimit të Sali Berisha; 4. Konstatimi i shkeljes së rëndë të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme; 5. Vendosja e masës së sigurimit të padisë: pezullimi i menjëhershem i procesit zgjedhor të datës 23.05.2026 deri në përfundim të gjykimit”. Gjykata ka marrë në shqyrtim brenda afatit ligjor kërkesës e paraqitur, ka studiuar dhe vlerësuar aktet e paraqitura dhe në përfundim ka vendosur: “Kthimin e akteve me të meta, që i përkasin kërkesëpadisë, duke i dhënë paditëses të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas parashikimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e Shkallës së Parë.
Tri ditë pasi Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve elektorale në PD skualifikoi nga gara për kryetare të PD-së kandidaten Mereme Sela, me arsyetimin se nuk plotësonte kriteret, kjo e fundit dorëzoi një padi në gjykatën e Tiranës ku kërkon pezullimin e procesit. (A2 Televizion)