"Ju bëftë pushka top"- Arben Malaj - Lamallarit: Je edhe djalë i ri, s'të shkon kjo gjuhë! Po shkon te ADN e Rilindjes

Nga A2 CNN
28 Janar 2026, 20:58 | Politikë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur nga mazhoranca, duke e cilësuar atë si pjesë të “ADN-së së Rilindjes”. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Malaj kritikoi deklaratat e drejtuesve të Partisë Socialiste ndaj opozitës dhe protestuesve, duke theksuar se gjuha e urrejtjes dëmton paqen politike dhe sociale në vend.

Duke iu referuar deklaratës “Ju bëftë pushka top”, Malaj u ndal te ministri i ri i Drejtësisë, Lamallari, për të cilin tha se, si “djalë i ri”, nuk ka pse të përdorë një gjuhë të tillë ndaj kundërshtarëve politikë. Sipas tij, ky është një sforcim për t’u përshtatur me modelin agresiv të lidershipit të PS-së, ku sulmi ndaj opozitës shihet si garanci për karrierë politike.

Malaj theksoi se problemi nuk është vetëm te fjalët, por edhe te aktet konkrete të mazhorancës, duke akuzuar deputetë dhe ministra për abuzime me fondet publike. “Nuk ecën Shqipëria me arrogancë dhe përçmim. Kushti i parë për bashkëpunim politik është gjuha dhe mirësjellja,” u shpreh ai.

Sipas Malajt, strategjia fyese ndaj opozitës është rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës se si është ndërtuar dhe drejtuar Partia Socialiste pas vitit 2013, një qasje që, sipas tij, po dëmton jo vetëm PS-në, por edhe vetë Shqipërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos