Deputeti Klevis Balliu kishte thirrur në interpelancë ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, për të pyetur për veprimtarinë e kompanisë shtetërore Kayo, e cila sipas ligjit është përgjegjëse për prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve ushtarake dhe armëve.
Sipas deputetit demokrat, për këtë kompani ka dyshime për aktivitet korruptiv, për shkak të transaksioneve që ka bërë me kompani të tjera private, ndaj sipas tij po rrezikohet edhe siguria kombëtare.
“49% e kësaj kompanie i shitet një personi, Jon Jefet, mik i Edi Ramës, një njeri që bashkëpunon me biznesmenë të nivelit më të lartë rusë, një njeri që është nën hetim për korrupsion. Ky njeri blen 49% të kësaj kompanie për vetëm 450 euro. Pas 3 muajsh mori 10.5 milionë euro te Ministria e Mbrojtjes", tha Balliu.
“Kjo shihet me dritëhije se funksionon me partnerë privatë, patjetër që është ashtu sepse ata investojnë me kapital. Deri tani buxheti i shtetit për shoqërinë janë 3 milionë euro; të gjitha investimet e tjera për të katër kompanitë e krijuara vijnë patjetër nga kapitali privat”, tha Nufi.
Balliu solli në vëmendje transaksionet me dy kompani, një e drejtuar nga shtetas shqiptar dhe tjetra nga shtetas izraelit, ku sipas tij pronarët nuk kanë pasur certifikata sigurie, por këto pretendime u hodhën poshtë nga Nufi.
“Kjo kompani po bashkëpunon me kompani që janë aktualisht nga NATO, ku të gjithë aleatët ia kanë pezulluar veprimtarinë për shkak se është në hetim për korrupsion, por këtu po vijon marrëveshjet. Kayo nuk është as për sigurinë kombëtare, as për sigurinë e qytetarëve, por është për të bashkëpunuar në vjedhjen me qeverinë shqiptare”, tha Balliu.
“Unë e di që ky proces është i paragjykuar se është i ri, por unë mendoj se është gurthemel për sigurinë. Pastaj pretendimet për personat apo për kompanitë, një gjë është e sigurt: që të gjitha procedurat janë ndjekur me rigorozitet. Asnjë angazhim nuk është ndërmarrë pa pasur praktika të plota ligjore”, tha Nufi.
Replikat e njëpasnjëshme, për deputetin demokrat, nuk ishin përgjigje të plota, ndërsa me ministrin nuk ra dakord as për debatin se kush prej tyre tha më shumë të pavërteta në Kuvend. (A2 Televizion)