
Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke vendosur një rekord historik me hapjen e të gjashtë grupkapitujve të negociatave brenda vetëm 13 muajve. Kështu thotë Qeveria shqiptare në raportin më të fundit të Këshillit të Ministrave drejtuar Kuvendit, sipas të cilit ky ritëm përfaqëson shpejtësinë më të lartë në historinë e zgjerimit të BE-së.
Gjatë vitit 2025, Shqipëria përmbylli hapjen e të gjithë grupkapitujve, duke kaluar nga faza përgatitore në një proces intensiv negociues.
Konferencat Ndërqeveritare të zhvilluara gjatë këtij viti hapën zyrtarisht:
Grupkapitullin II (Tregu i Brendshëm) më 14 prill 2025.
Grupkapitullin III (Konkurrueshmëria) më 22 maj 2025.
Grupkapitullin IV (Agjenda e Gjelbër) më 16 shtator 2025.
Grupkapitullin V (Burimet dhe Bujqësia) më 17 nëntor 2025.
Sipas raportit, një arritje kyçe e vitit 2025 ishte plotësimi i 24 Kushteve të Ndërmjetme për grupkapitullin "Themelorët" (Kapitujt 23 dhe 24). Ky proces u përmbyll në janar 2026, duke i hapur rrugë fazës së mbylljes së negociatave.
Në lidhje me Reformën në Drejtësi, raporti vëren se janë konsideruar si hapa të suksesshëm zgjedhja e Klodjan Brahos si Drejtues i SPAK dhe Joni Ketës si Drejtor i BKH-së në dhjetor 2025. Gjithashtu pozitiv është reduktimi i ndjeshëm i çështjeve të prapambetura, ku Gjykata e Lartë shënoi një ulje prej 24% vetëm gjatë vitit 2025. Edhe rezultatet e SPAK, ku gjatë vitit 2025 u regjistruan 74 hetime të reja për krimin e organizuar dhe 878 hetime për korrupsion të niveleve të ndryshme, shihet si ndikim pozitiv në ecurinë e negociatave.
Raporti thekson se gjatë kësaj periudhe janë miratuar të paktën 222 akte ligjore për të harmonizuar ligjet shqiptare me ato të BE-së. Gjithashtu, vendi ka vijuar me sukses zbatimin e paketës IPA III (2021-2027), duke siguruar mbështetje financiare për reforma strukturore dhe projekte strategjike në inovacion dhe teknologji.
“Me një mbështetje rekord prej 92% të popullsisë për integrimin, Shqipëria synon të jetë teknikisht gati për anëtarësim brenda vitit 2030”, thuhet në raportin dorëzuar deputetëve. (A2 Televizion)