
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi mbajtjen e një minutë heshtje në nder të akademikut Rexhep Qosja, i cili nda nga jeta ditën e sotme.
“Kryetar, zonja e zotërinj, kolegë, besoj të gjithë jeni njohur me lajmin shumë të trishtë të ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, vepra e të cilit nuk janë thjesht vetëm libra, por janë një kontribut i pazëvendësueshëm i kujtesës tonë kombëtare, i ndërgjegjes dhe dinjitetit tonë si komb", tha Balla.
"Prandaj, është shumë jetike në kuptimin e respektit për një nivel kaq të madh të kontributit për shqipen, për shqiptarinë, të vlerësojmë kontributin e pazëvendësueshëm të këtij akademiku në kërkesën bazuar në rregulloren e Kuvendit që në një moment të caktuar, kur ta vlerësoni ju, zoti Kryetar, kur kjo sallë të plotësojë protokollin e nevojshëm të një momenti të tillë solemn, gjatë ditës së sotme, ta kujtojmë veprën e tij duke mbajtur një minutë heshtje, siç jeni njoftuar familja e tij ka njoftuar që nuk do të ketë ceremoni zyrtare ndërkohë që familja ka kërkuar privatësinë, por në vlerësim të kontributit të vlerës historike që ky personalitet mban, besoj që është në dinjitetin e Kuvendit nga të gjitha grupet parlamentare nën drejtimin tuaj të momentit kur do të caktohet ta mbajmë një minutë heshtje. I paharruar qoftë kujtimi i akademikut Rexhep Qosja”. (A2 Televizion)