“Incidente të shumta mund të ndodhin nesër. Ka shumë zëra që thonë se të dy palët presin që të ndodhë diçka”. Kështu u shpreh në studion e Debatit në A2 CNN, analisti Lorenc Vangjeli, lidhur me protestën e nesërme kombëtare të thirrur nga opozita. Sipas tij janë 3 pyetje që duhet të marrin përgjigje në protestën e 11 korrikut.
“Protesta është lajm i mirë për Ramën e përgjumur që duket si në kllapi për lajmet e asaj që pritet se do të ndodhë të nesërmen. Ka një trazirë e tension të madh në Tiranë për atë që supozohet se do të ndodhë nesër. Janë 3 pyetje që duhet të marrin nesër një përgjigje: Si mund të shndërrohet pakënaqësia e qytetarëve në votë për opozitën? Si do të arrijë opozita të përfaqësojë pakënaqësinë e qytetarëve? Dhe çfarë do të ndodhë në të gdhirë të datës 12?”
Zërave për dhunë të deklaruara nga Vangjeli iu përgjigj demokrati Klevis Balliu, i cili theksoi se “dhunë bën qeveria, qytetarët bëjnë protestë. Ne jemi të qartë se çfarë proteste bëjmë. Dhuna nuk e përfaqëson këtë parti”.
I pyetur sesa do të zgjasë protesta ai tha se kjo është në dorë të qytetarëve dhe varet nga zhvillimi.
“Njoftimi është bërë, sesa do të zgjasë do të mbetet në dorë të qytetarëve që do ta drejtojnë këtë protestë. Nuk ka orë mbarimi varet nga zhvillimi. Opozita e drejton këtë protestë por në protestë; “vox populi, vox dei”.
Ai renditi edhe arsyet themelore përse shqiptarët duhet të protestojnë nesër, nga situat ekonomike, e sigurisë dhe ajo politike.
“Arsyet themelore është situata politike e ekonomike në vend. Jemi të fundit në arsim, por të parët në emigrim. Kemi 2 mijë maturantë në vit që largohen. Kemi taksat më të larta në rajon dhe rrogat më të ulëta në rajon. Kemi 47% fëmijë në varfëri të tmerrshme. Kemi një shtet që nga pikëpamja e sigurisë për jetën është në gjendjen më kritike në rajon. Arsye për të protestuar ka me mijëra dhe sot është një moment reflektimi për të gjithë ne. Kjo qeveri është kërcënim”.
Sipas Balliut është jetik edhe lirimi i Sali Berishës, pasi është arrestuar pa prova.
“Rama, Veliaj e Balla është e pamundur të organizojnë zgjedhje në Shqipëri, ku është vërtetuar që kupola e Policisë e ministra e deputetë kanë lidhje me krimin e organizuar. Është jetik lirimi i Sali Berishës për pluralizmin në Shqipëri. Masa e arrestit pa asnjë provë e fakt dhe pa akuzë kjo ka vënë masë arresti ndaj pluralizmit. Në shtet diktatoriale arrestohesh pa prova. Hajdutët si Veliaj, Olsi Rama, Olta Xhaçka e gjithë enturazhi janë kapur në flagrancë për vjedhje”.
(A2 Televizion)