Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se “në autokraci apo regjime hibride, rruga e vetme është përballja dhe protesta”.
“Ndihemi mirë në aspektin politik sepse po vërtetohen të gjitha ato që kemi thënë ne nga faktori ndërkombëtar dhe po ngrihen si alarme edhe nga ana e tyre; ndihemi keq kur shohim se vendi ynë është duke u rrokullisur në honet e korrupsionit, krimit dhe autokracisë, duke mos bërë hapa para drejt integrimit”, tha fillimisht Noka.
“Ne duke qenë se kemi konstatuar prej kohësh problematikat dhe kemi atakuar prej kohësh Edi Ramën si faktorin kryesor destabilizues të vendit dhe fajtorin për të gjitha problematikat e Shqipërisë, ne kemi vendosur vetëm një rrugë: në autokraci apo regjime hibride, rruga e vetme është përballja dhe protesta. Nuk mund të flasësh për zgjedhje në autokraci elektorale. Këtë nuk po e thotë më Sali Berisha, por po e thonë ndërkombëtarët. Ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie dhe gjetja e një zgjidhjeje politike që të ketë dy prioritete: institucionalizimin e zgjedhjeve të lira dhe të zhbllokojë procesin e integrimit që e ka bllokuar Edi Rama. Opozita ka deklaruar që do të ketë maratonë protestash duke shtuar presionin e brendshëm, nga ana tjetër faktori i jashtëm që po ia ngushton lakun Edi Ramës”, shtoi Noka.
(A2 Televizion)