“Kemi pritur reagimin e ndërkombëtarëve për qeveri teknike”, Boçi: Vazhdojnë protestat edhe më të ashpra se 11 korriku

Nga A2 CNN
12 Korrik 2024, 13:01 | Politikë

“Kemi pritur reagimin e ndërkombëtarëve për qeveri

Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN nga ku foli për aksionin opozitar.

Në fjalën e tij gjatë protestës së të enjtes, kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe për të garantuar votën, opozita kërkon qeveri teknike. Por, a i përmbushi protesta pritshmëritë?

“Protesta ishte madhështore. Përcolli ato mesazhet për të cilat ishte grupuar. Ishte një akt i madh i përbashkimit të demokratëve. Protestat realizojnë komunikimin me qytetarët dhe kërkesën e tyre për rotacion politik, kishte dhe qëllimet e saj, dhënie lirie për liderin e opozitës dhe kërkesa për qeveri teknike”, tha Boçi.

Një nga kërkesat e opozitës dhe që u shpalos një ditë më parë në protestë ishte lirimi i Sali Berishës, por a është kjo një protestë kundër drejtësisë së re? “Ne nuk jemi kundër drejtësisë së re, siç interpretohet në atë të përgjithshmen, ne jemi kundër padrejtësisë së re duke u servirur në pjetën e drejtësisë së re”, tha Boçi.

Ndërkohë, nënkryetari i PD, Luçiano Boçi theksoi se protestat do të vazhdojnë, madje edhe më të ashpra.

“Opozita ka pritur një reagim të ndërkombëtarëve për qeveri teknike, por nuk ka ardhur. Tani, është thënë shumë qartë edhe nga Berisha dhe nga ne si PD, do të vazhdojmë të protestojmë deri në mosbindje civile, derisa të krijohet një situatë ku njerëzit të shprehin lirshëm vullnetin e tyre. Protestat duhet të intensifikohen edhe më të ashpra sesa 11 korriku”, tha Boçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos