Një debat me tone të forta është zhvilluar mes nënkryetarit të Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, dhe ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Floriar Arapi, lidhur me drejtimin e opozitës në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
Arapi deklaroi se Partisë Demokratike “i ka ardhur fundi” dhe akuzoi lidershipin e saj se ka tradhtuar, sipas tij, bërthamën e partisë dhe ish-të përndjekurit politikë.
Po ashtu ai u shpreh se në krye të PD është një komunist, duke iu referuar Sali Berishës. Kedhi u kundërpërgjigj duke u shprehur se Arapi ka një problem personal me Berishën, por ky s’është halli i qytetarëve shqiptarë.
DEBATI
Arapi: Keni marrë fund dhe ju ka ardhur fundi me kohë.
Kedhi: Nuk jam këtu për hallet personale.
Arapi: Nuk është hall personal, gjyshi im që është vrarë duke luftuar kundër komunizmit.
Kedhi: Po ja thoni dikujt që vjen nga një familje e persekutuar. Halli im është që të shpëtojmë vendin.
Arapi: Gjyshi im ka dhënë jetën duke luftuar kundër komunizmit. Ti më thua që qenka halli personal, pse Sali Berisha nuk ka dhënë dëmshpërblimin dhe e ka dhënë një këst Rama! Të gjithë pronat janë të humbura. Ju keni marrë fund sepse ju keni tradhtuar bërthamën e PD, të ish-perskeutuarit. Keni në krye një komunist që në 1990-ën u bë demokrat dhe kurrë s’ka ndryshuar në mentalitet totitalitarizmi i tij.
Kedhi: Ju e paskeni betejën me Berishën, ky s’është hallli i qytetarëve shqiptarë. (A2 Televizion)