“Kërkesa për dorëheqje, një film i parë”, Rama: Hetimi i SPAK do të sqarojë pretendimet mbi pronën në Zvërnec

Nga Fjorela Beleshi
3 Qershor 2026, 15:16 | Politikë

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama doli vetë për të sqaruar hetimin e SPAK mbi pronat e projektit të Zvërnecit. Ky proces sipas tij do t'i japë fund spekulimeve mbi këtë investim.

“SPAKU ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë tek shitësi. Në rast se shitësi ka një origjinë legjitime të pronës, do marrë paratë, në rast se nuk e ka, natyrisht që paratë do t'i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do t'i do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Protestuesit poshtë zyrës së tij, Edi Rama i nda në dy kategori. Ata që po manipulojnë duke përdorur protestuesit si marioneta kundër interesave të Shqipërisë dhe ata të cilëve vërtetë ju dhëmbë mbrojtja e mjedisit.

“Kjo është një luftë hibride, po nuk ka fare dyshim që kjo luftë do mbarojë. Te çështja e ambientit ndodh pikërisht ajo gjëja që bashkohen vëllezërit e Agimit të Artë që orkestrohen nga ustallarë si ata të Agimit të Artë me shqiptarë, vajza, djem të reja të rinj me qasje atdhe dashurie ndaj natyrës”, tha Rama.

Derën për sqarime ua la të hapur këtyre të fundit. “Kam respekt për ta dhe me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë sepse ata nuk kanë dalë në protestë për të zhvilluar një episod të ri të një filmi shumë të vjetër”, tha Rama.

Ndërsa thirrjet për dorëheqje po i përdor si argëtim duke ironizuar si një skenar filmi me fund të parë. “Mishëroj vullnetin e të paktën mbi 800 000 shqiptarëve. Janë njësoj si ata që shkojnë tek i njëjti film dhe mezi presin që fundi të jetë ndryshe dhe që personazhi i tyre të triumfojë. Nuk ndodh kjo. Është një film me fund që e kanë parë të gjithë”.

Rama u largua për të zhvilluar siç tha një komunikim të rëndësishëm me një bashkëbisedues jashtë vendit pa dhënë detaje të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos