Teksa demokratët kanë dorëzuar në Kuvend raportin përmes të cilit kërkojnë dhënien e dritës jeshile për SPAK-un për masë arresti ndaj Belinda Ballukut, socialistët ende nuk e kanë hedhur këtë hap. Sali Berisha akuzon Edi Ramën se po bëhet pengesë për drejtësinë.
“Pra është Rama vetë ai që bllokon dërgimin e raportit të anëtarëve të komisionit të partisë së krimit në kryesinë e parlamentit për t’u futur këtë të enjte në agjendën e parlamentit”.
Edi Ramën e akuzon edhe si bllokues të integrimit të Shqipërisë në BE, ku sipas tij ndërkombëtarët i kanë kërkuar kreut të qeverisë që të dorëzojë imunitetin e Ballukut.
“Edi Rama, kërkesave të fuqishme nga partnerët tanë më kryesorë, nga Komisioni Europian për të mos penguar drejtësinë, iu përgjigj me artikullin e hapur të firmosur së bashku me vëllain e tij Vuçiç, padronin e tij, duke u thënë europianëve se nuk kemi nevojë për integrimin në BE. Arrin gjer në këtë akt vetëm për të mbrojtur krimet dhe pasuritë e tij të krimit”.
Lideri demokrat kërkoi mbështetjen e qytetarëve, duke konfirmuar se ditën kur Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK opozitarët do të jenë në shesh.
“Ndaj dhe ftesa ime për mbarë qytetarët shqiptarë, ditën që do paraqitet kërkesa në parlament, që të gjithë para parlamentit për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, dinjitetin kombëtar”.
Si gjithnjë nuk tregoi detaje nga protesta, por sërish pohoi se opsionin e grevës dhe ngujimit nuk e kanë hequr nga tryeza.
“E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie dhe asgjë nuk përjashtohet. Por çdo hap duhet të ndërmerret në momentin e duhur”.
12 marsi është afati i fundit i Kuvendit që mund të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Berisha nuk e përjashton mundësinë e djegies së këtij afati nga mazhoranca për të mos e hedhur në votim. (A2 Televizion)